UNHCR thotë se bota nuk duhet ta braktisë Afganistanin

Harta e Afganistanit.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Filippo Grandi, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të ndihmojë Afganistanin, ose në të kundërtën "ekziston rreziku i pasojave katastrofike".

Komentet ai i bëri në fillim të një konference dy-ditore të donatorëve për Afganistanin.

Grandi tha se e ardhmja e miliona afganëve, varet nga rezultati i bisedimeve të paqes midis qeverisë afgane dhe talibanëve, që zhvillohen në Katar dhe nga vendosmëria e botës për të ndihmuar zhvillimin e vendit.

Afganistani po përballet me dhunën dhe korrupsionin. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të shkurtojnë praninë e trupave të tyre në këtë vend.

SHIKONI EDHE: Shefi i NATO-s paralajmëron kundër tërheqjes së shpejtë nga Afganistani

Konferenca e donatorëve synon të përcaktojë objektivat e zhvillimit dhe financimit për periudhën 2021-2024.

Grandi tha se gati 300,000 afganë të cilët janë zhvendosur brenda vendit për shkak të konfliktit, këtë vit, kanë nevojë për mbështetje humanitare.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të dalë me një kornizë për të ndihmuar Afganistanin të arrijë paqen.

SHIKONI EDHE: Trupat elite australiane vranë civilët afganë, zbulon raporti

Kombet donatore takohen çdo katër vjet për të premtuar ndihmë për kombin e varfër, i cili mbetet pothuajse plotësisht i varur nga ndihma e huaj, pavarësisht 19 viteve të reformave të premtuara dhe përpjekjeve për të rritur ekonominë.

Bisedimet e paqes ndërmjet qeverisë afgane dhe talibanëve kanë ngecur. Ato dolën si obligim nga një marrëveshje të cilën në muajin shkurt e arritën Shtetet e Bashkuara me talibanët.

Marrëveshja u arrit pasi talibanët u zotuan se nuk do të lejojnë që territori Afganistanit të jetë vatër e grupeve terroriste dhe në anën tjetër Shtetet e Bashkuara thanë se do të përfundojnë praninë e forcave të huaja në këtë vend.