Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë se ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe dy zyrtarëve të tjerë serbë.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se kërkesa e presidentit Vuçiq, ministrit të Mbrojtjes, Alleksandar Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviq për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas”.
Sipas saj, kërkesa për vizitë në Kosovë të zyrtarëve serbë, “ofendim më tepër se provokim”.
Vetë ministrja Haradinaj-Stublla kishte bërë kërkesë që të shihte nga afër gërmimet në Kizhevak të Serbisë, ku dyshohet për varrezë masive dhe sipas saj, kjo vizitë shtyhet “për një kohë tjetër”.
“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?”, ka thënë Haradinaj-Stublla, njoftoi MPJD përmes një komunikate për media.
SHIKONI EDHE: EULEX: Gjetja e mbetjeve mortore në Kizhevak, falë imazheve fotografike nga ajriMë 16 nëntor, autoritetet e Kosovës dhe Serbisë njoftuan se në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, janë gjetur mbetje mortore.
Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizheva, më 16 nëntor e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.
Lidhur me dyshimet se mbetjet mortore që u gjetën janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, Gërxhaliu kishte thënë:
“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”.
Deri në gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, të dhëna këto të nxjerra nga raporti i Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore dhe të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.