Parlamenti mbetet peng i izolimit të deputetëve të infektuar me COVID-19

Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kohë pandemie.

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë në Maqedoninë e Veriut nuk mund të arrijnë ujdi për ndryshimin e rregullores së punës së parlamentit, në mënyrë që deputetët e infektuar nga virusi COVID - 19 të mund të inkuadrohen në debat dhe të votojnë online derisa janë në izolim.

Ndërkohë, shumë ligje mbeten të bllokuara në institucionin ligjvënës si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Aktualisht, tre deputetë të cilët i takojnë shumicës parlamentare janë prekur nga COVID-19 dhe të njëjtit mbeten në izolim duke pamundësuar kështu dhe funksionimin e seancave në institucionin ligjvënës.

SHIKONI EDHE: Pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta për punën online të kuvendit

Për të zhbllokuar punën e parlamentit, tashmë, kryetari i këtij institucioni ka iniciuar nismën për ndryshimin e rregullores së punës së parlamentit, me ç’rast parashihet që deputetëve, të cilët kanë vendim për izolim, t’u mundësohet pjesëmarrja virtuale dhe votimi online në seancat plenare dhe në punën e komisioneve.

Mbajtja e seancave online kundërshtohet ashpër nga ana e partive politike në opozitë.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO- DPMNE, vlerëson se mbajtja e seancave parlamentare online është në kundërshtim me Kushtetutën, përderisa Aleanca për Shqiptarët thotë se do të vihej në pikëpyetje kredibiliteti i parlamentit si institucion.

SHIKONI EDHE: Pushteti synon seanca online të Kuvendit, opozita shprehet kundër

Stojan Andov, kryetar i parë i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lihet jofunksional parlamenti, veçanërisht në këtë situatë krize që ka shkaktuar pandemia.

“Unë kam drejtuar Komisionin për çështje kushtetuese, kur punonim rregulloren e punës nuk e kishim idenë as më të vogël se mund të përballemi me një pandemi të këtillë, ndërkohë që shumë gjëra tani kanë ndryshuar, natyra e punës ka marrë një dimension krejtësisht ndryshe, gjithçka kalon online, pse të mos kalojë dhe puna e parlamentit”.

“Duhet të vendoset në plan të parë interesi i qytetarëve. Interesi i qytetarëve është që të kemi institucione funksionale, përfshirë këtu dhe parlamentin që duhet të sjellë vendime të rëndësishme në funksion të menaxhimit të situatës së krizës që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit”, thekson Andov.

SHIKONI EDHE: Emrat e njëjtë në drejtori të ndryshme në Maqedoninë e V.

Partitë në pushtet vlerësojnë se përmes inkuadrimit online të deputetëve që kanë vendim për izolim krijohet mundësi që parlamenti si institucion, të funksionojë pa problem edhe në rast të rritjes së numrit të deputetëve të infektuar.

Përderisa opozita konsideron se me bartjen e punës së parlamentit online, do të humbet cilësia e debateve.

Lidhur me këtë, Xhelal Neziri nga organizata jo qeveritare SCOOP, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë faktorët politikë duhet të veprojnë në kushte të krizës së pandemisë, duke lënë anash interesat e ngushta partiake, në të kundërtën do të përballen me mllefin e qytetarëve që i kanë votuar.

“Tashmë kemi disa ligje që presin për miratim në Parlament, ligje këto që kanë të bëjnë me menaxhimin më të mirë të pandemisë siç është ndryshimi i Ligjit për mbrojtje shëndetësore me ç`rast parashihet zgjerimi i kapaciteteve për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi COVID-19. Gjithashtu edhe shumë ligje të tjera ku bën pjesë dhe buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, i cili duhet të miratohet në fund të vitit. Pra, ka shumë ligje në saje të së cilave pritet të përmirësohet jeta e qytetarëve, ekonomia e vendit etj”, thotë Neziri.

Për ndryshimin e rregullores së punës, nevojiten dhe votat e opozitës, pasi duhen dy të tretat e deputetëve apo 80 prej tyre. Shumica aktualisht ka 62 deputetë nga 120 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.