Pendarovski: Kërkesat bullgare “përtej mendjes së shëndoshë”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar se kërkesat bullgare që janë bërë kusht për kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, janë në kundërshtim me vlerat evropiane, dhe sipas tij, ato nuk janë as pjesë e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017.

Bullgaria të martën bllokoi Maqedoninë e Veriut që të nis bisedimet e anëtarësimit, pasi kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti, ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare.

SHIKONI EDHE: Bullgaria bllokon fillimin e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut

Presidenti maqedonas, Pendarovski ka thënë në një intervistë për televizionin austriak ORF se kërkesat bullgare janë “përtej mendjes së shëndoshë”.

"Ju nuk mund të na akuzoni se nuk kemi respektuar Marrëveshjen dhe në të njëjtën kohë të shtoni kërkesa që, përveç që shkojnë përtej mendjes së shëndoshë janë në kundërshtim me vlerat themelore demokratike evropiane. Nuk mund të flasim për mosrespektim të dispozitave të Marrëveshjes nëse flisni dhe sfidoni të drejtën time për vetë-identifikim etnik dhe kombëtar sepse një gjë e tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes”, ka deklaruar Pendarovski.

SHIKONI EDHE: Shkupi kundër bisedimeve me Sofjen për gjuhën dhe identitetin

Maqedonia e Veriut mbetet në qëndrimin se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që përbëhet nga pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit.

Zyrtarët maqedonas kanë thënë se për çështjet e identitetit nuk do të pranojnë asnjëherë të bisedojnë me Bullgarinë.

Përkundër kësaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se shpreson që deri në fund të vitit të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi mes dy vendeve, që të mund të mbahet konferenca e pare ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.