Trump shkarkon zyrtarin që kundërshtoi pretendimet e tij për zgjedhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zyrtari i lartë i sigurisë kibernetike, i cili u shkarkua më 17 nëntor, Christopher Krebs.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkarkuar nga puna një zyrtar të lartë federal të sigurisë kibernetike, i cili tha se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të sigurta, dhe i cili hodhi poshtë pretendimet e presidentit për mashtrim masiv.

Trump njoftoi më 17 nëntor se ai kishte marrë vendim të pushojë nga puna, Christopher Krebs, duke thënë se një deklaratë e fundit që agjencia e Krebs bëri për të mbrojtur sigurinë e zgjedhjeve ishte "shumë e pasaktë".

Sipas një postimi në rrjetin social Twitter, Trump pretendon se kishte pasur "mashtrime masive" në zgjedhje, duke përmendur pretendime të pabazuara, në bazë të së cilave në zgjedhjet e 3 nëntorit “kanë votuar edhe të vdekurit”, vëzhguesit janë ndaluar të kenë qasje në vendet e votimit dhe ka pasur gabime të makinës së votimit.

Twitter vendosi menjëherë një paralajmërim në postim duke thënë: "Ky pretendim për mashtrim zgjedhor është i diskutueshëm".

SHIKONI EDHE: Drejtuesit e rrjeteve sociale para Senatit lidhur me zgjedhjet në SHBA

Shkarkimi vjen pasi Trump refuzon të njohë fitoren e presidentit të zgjedhur demokrat, Joe Biden.

Avokatët e tij kanë sfiduar rezultatet e zgjedhjeve në procese gjyqësore të paraqitura në shumë shtete. Shumica janë hedhur poshtë për mungesë të provave.

Krebs drejtoi Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe të Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) që nga krijimi i saj, pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016 deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Si kreu i CISA-s, Krebs ishte një nga zyrtarët më të lartë që punonte për të siguruar infrastrukturën e votimit kundër ndërhyrjeve dhe mashtrimeve të huaja.

Ai është lavdëruar për punën e tij nga ligjvënësit e të dyja partive, si dhe zyrtarë shtetërorë dhe zgjedhorë në të gjithë vendin.

Javën e kaluar agjencia tha në një deklaratë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin "më të sigurtat në historinë amerikane".

Pas shkarkimit Krebs shkroi në Twitter: “I nderuar që kam shërbyer. Ne e bëmë punën si duhet. Mbro sot, siguro të nesërmen”, shkroi ai.

Disa ligjvënës e kritikuan shkarkimin e tij. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi (demokrate) tha se Krebs është një ekspert i respektuar i sigurisë kibernetike i cili punoi me zell për të mbrojtur zgjedhjet.