Kurti kërkon që Qeveria e Kosovës të mbrojë të akuzuarit e Hagës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media të dielën, tha se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.

“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët nga Gjykata Speciale në Hagë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

SHIKONI EDHE: Kush po i mbron ish-pjesëtarët e UÇK-së?

Në aktakuzën e Prokurorisë së Posaçme në Hag pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Kurti tha se pretendimet e Dhomave të Specializuara se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk janë të vërteta.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe zyrat përkatëse”, tha ai.

Ish-kryeministri Kurti ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës më 2015. Në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas këtij ligji, çdo i akuzuar ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por, pavarësisht ligjit, mbetet e paqartë mënyra dhe forma e pagesës së disa prej avokatëve të cilët janë angazhuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, që u është konfirmuar aktakuza.

Qeveria ende nuk ka përcaktuar se si bëhet selektimi i avokatëve dhe a ka ndonjë limit të caktuar deri në çfarë shume, mund të paguhet një avokat që mbron të akuzuarit.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, më 9 nëntor, Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka thënë se për këtë vit buxheti i ndarë për këtë çështje ka qenë rreth 7 milionë euro. Për vitin 2021 janë ndarë rreth 6.7 milionë euro.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.