Mijëra mbështetës të presidentit amerikan, Donald Trump, po mblidhen në Uashington për të shprehur përkrahje ndaj pretendimeve të tij - deri më tash të pabazuara - për mashtrim të votuesve në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Grupet e ekstremit të djathtë dhe anti-qeveritar duke përfshirë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), Oath Keepers dhe QAnon e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protesta, raporton BBC.
Një numër demostratash janë planifikuar të zhvillohen gjatë ditës, një prej tyre e titulluar “Një Milion për MAGA” (fraza e presidentit: E bëjmë Amerikën Përsëri të Madhërishme); një demonstrim i “Grave për Trumpin” si dhe një protestë me titullin “Mjaft me Vjedhje”.
Your browser doesn’t support HTML5
Tubimet e së shtunës janë reklamuar nga figura të medias konservatore si dhe organizata të nacionalistëve të bardhë dhe pritet të përballen nga demonstrata rivale me protestues të grupeve anti-raciste dhe organizatave të majta, transmeton Zëri i Amerikës.
Organizata e ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) tha se disa anëtarë të saj do të marrin pjesë dhe se Alex Jones, personalitet mediatik i portalit me teori konspirative “Infowars” do të kryesojë një autokolonë nga Teksasi që do të marrë pjesë në demonstrimin “Mjaft me Vjedhje”.
Të premten, presidenti komentoi në Twitter: “Të ngrohet zemra kur sheh një mbështetje të jashtëzakonshme, sidomos me tubimet që po organizohen në të gjithë vendin, përfshirë demonstrimet e mëdha në Uashington të shtunën. Ndoshta do të dal t’i përshëndes”.
Sipas mediave amerikane, demokrati Joe Biden i ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit. Biden ka kaluar pragun prej 270 votash sa i duhen një kandidati në Kolegjin Zgjedhor.
Megjithatë Trump, deri më tash, nuk e ka pranuar humbjen. Ai ka nisur një sfidë ligjore në disa shtete dhe ka bërë akuza të pabazuara për mashtrim të gjerë zgjedhor - por përpjekjet e tij deri më tani kanë qenë të pasuksesshme.