Kosova do të përfitojë falas 360,000 vaksina kundër koronavirusit

Ilustrim

Kosova do të përfitojë 360,000 vaksina falas nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se pjesën tjetër të vaksinave, Kosova do ta blejë me mjete të veta financiare, kur ato të jenë në treg dhe të lejuara për përdorim te njerëzit.

“Kosova, prej disa muajsh, ka qenë në bisedime me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe partnerët ndërkombëtarë. Aleanca Botërore e Vaksinimit e ka futur Kosovën në mesin e shteteve përfituese falas të 20% të sasisë së vaksinave, apo 360,000 doza të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këtë javë, kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech kanë konfirmuar se vaksina e tyre kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”.

Dy kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës së tyre në fund të këtij muaji.

SHIKONI EDHE: Vaksina e parë kundër koronavirusit “ofron mbrojtje 90%”

Pfizer ka thënë se beson se do të sigurojë 50 milionë doza të vaksinës deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliard të tjera deri në fund të vitit 2021.

Në zhvillim e sipër janë edhe dhjetëra vaksina të tjera kundër koronavirusit.

COVAX është një program që synon të bashkojë fondet e shteteve të pasura dhe të organizatave joqeveritare, me qëllim të zhvillimit të vaksinës për sëmundjen COVID-19, që shkakton koroanvirusi, si dhe ta shpërndajë atë në gjithë botën.

Qëllimi tij është që të sigurojë 2 miliardë doza të vaksinës së miratuar për COVID-19 deri në fund të vitit 2021.

Kosova ka konfirmuar në total 26,888 raste me koronavirus. Aktualisht i ka 9,418 raste aktive.

SHIKONI EDHE: Tetë viktima dhe 767 raste të reja me koronavirus në Kosovë