KE mirëpret forcimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor

Bruksel

Komisioni Evropian e mirëpriti zotimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për të forcuar më tej bashkëpunimin rajonal.

Në një samit në Sofje, liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë një treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.

“Përgjigjja pozitive e rajonit në Planin Ekonomik dhe të Investimeve, angazhimi për një lidhje më të mirë dhe mbështetja për iniciativat kyçe - të tilla si krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, nisja e një Plani të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetja e mëtejshme e integrimit të romëve - do të ndihmojnë në përshpejtimin e rimëkëmbjes post-pandemike, duke nxitur një rritje të qëndrueshme ekonomike”, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në prag të samitit se Ballkani Perëndimor është një përparësi absolute e Komisionit dhe shtoi se e ardhmja e rajonit është në BE.

“Plani ynë Ekonomik dhe i Investimeve, i miratuar së voni, do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, do t’i forcojë lidhjet me BE-në, do të mbështesë zbatimin e reformave themelore dhe do ta sjellë rajonin më pranë tregut të vetëm të BE-së”, tha von der Leyen.

Samiti i Sofjes, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Në këtë samit, që u zhvillua online, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Avdullah Hoti, e pos tij morën pjesë edhe liderët e shteteve të rajonit: Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Në samit morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Për më shumë, lexoni këtu.