Pandemia me koronavirus ia ka vështirësuar mbijetesën Hastrete Gashit, 32-vjeçare, e cila thotë se para pandemisë ka mbledhur qelq dhe plastikë për t’i shitur. Nga kjo punë maksimum ka fituar 10 euro në ditë, të cilat i kanë ndihmuar që të ushqejë gjashtë fëmijët e saj.
Por, Hastrete Gashi, e cila i përket komunitetit rom, thotë se për shkak të frikës se mund të infektohet nga koronavirusi, nuk ka mundur të sigurojë këto mjete, e ndërkaq shton se ndihma që ka marrë nga shteti ka qenë e pakët.
Ajo jeton në një lagje të Fushë Kosovës, ku jetojnë pjesëtar të komunitetit rom, të cilën Radio Evropa e Lirë e ka vizituar për të parë nga afër gjendjen e këtij komuniteti në pandemi.
SHIKONI EDHE: Pse romët në disa vende evropiane janë më të goditurit nga pandemia?Ndonëse asnjë i infektuar, aty asnjë person nuk kishte të vendosur maskë. Kushtet higjienike ishin mjaft të rënda.
“Asnjë në lagje nuk është infektuar. Fati ka dashtë kështu. Por, nuk na ka ndihmuar askush. Ndihmat që i kemi marrë që nga muaji mars, kanë qenë pako ushqimore dhe higjienike, e që janë të pamjaftueshme. Tash nuk po punojmë, sepse ne punojmë me mbeturina, i mbledhim në kontejnerë dhe është kohë pandemie. A i besohet kontejnerit të mbeturinave. Nuk po guxojmë, mos po infektohemi", tregon Gashi.
Edhe Shaqir Berisha, 26-vjeçar, i përket komunitetit rom. Ai tha se kushtet në të cilat jetojnë njerëzit në këtë lagje, janë shumë të vështira. Ndërkaq, shton se prej muajit mars pothuajse i gjithë komuniteti ka mbetur pa punë.
“Do Zoti nuk na vjen koronavirusi në lagje, se një personi po i ra virusi, të gjithëve do të na marrë. Po i shihni vetë kushtet, krejt lagjja është njëjtë. Mbeturina gjithandej. Ndihma po marrim, asistencë sociale, sepse mos të na kishin ndihmuar, ne kishim vdekur urie, por janë të pamjaftueshme".
SHIKONI EDHE: Komunitetet RAE në Kosovë, të pambrojtura përballë COVID-19“Ne jemi tetë anëtarë të familjes, i kam gjashtë fëmijë. Punoj ndonjëherë privat kur ka punë, po shumë pak fitoj. Gjatë kohës sa kemi qenë të izoluar, asnjë cent s’e kemi fituar. Na kanë ndihmuar se nuk e di çka do të bënim", thotë ai.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara që merret me refugjatët, UNHCR, komuniteti rom në Evropë ballafaqohet me rrezik të lartë të përhapjes së COVID-19.
Në Evropë jetojnë afërsisht 12 milionë romë dhe shumica prej tyre nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, energji elektrike dhe jetojnë në kushte të vështira pa mjekësi adekuate.
Bekim Sylaj nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, tha se organizata e tij vazhdimisht ka punuar në terren dhe se deri tash ka rezultuar të jetë situatë e mirë sa i përket pandemisë në mesin e komuniteteve RAE.
Ai thotë se edhe tash po vazhdon t’i monitorojë këto komunitete në Mitrovicë, Fushë Kosovë e Ferizaj.
Mungesë e testimeve për koronavirus
Megjithëkëtë ai shton se ndonëse nuk ka njerëz që janë ankuar ose kanë shfaqur simptoma të koronavirusit, testimet kanë munguar.
SHIKONI EDHE: Mbijetesa e varur nga asistenca sociale"Ne i monitorojmë dhe krejt ajo çka kemi informatë, është një person në Ferizaj i infektuar. Vetëm këtij i është bërë testi dhe asnjë personi tjetër nga komunitetet. Askush s’po i merr parasysh. Por, ankesa nuk kemi pasur nga komuniteti, nuk ka pasur simptoma, ose ndonjë ankesë”.
“Ne i kemi ndihmuar me pako ushqimore e higjienike. Por, nuk është (problemi) vetëm te virusi, këta njerëz kanë punuar zakonisht me shporta mbeturinash, tash nuk e bëjnë atë punë nga fika e infektimit. Janë të papunë tash pothuajse të gjithë", thekson Sylaj.
Qeveria e Kosovës ka shpërndarë një shumë prej 1.7 milion euro, si mbështetje për komunitetet joshumicë, ndërsa, deri në fund të dhjetorit të këtij viti, planifikon t’i shpërndajë edhe 2 milionë euro për këto komunitete në mënyrë që t’ju ofrojë mbështetjen e duhur në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Në Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40 mijë rom, ashkali e egjiptas. Qeveria e Kosovës tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, madje është hartuar edhe strategjia për integrimin e komuniteteve, ku punësimi dhe mirëqenia sociale janë një prej katër objektivave kyç të kësaj strategjie.
Por, përfaqësuesit e komuniteteve vazhdimisht kanë shprehur ankesa të mëdha se ligjet e strategjitë e miratuara për këto komunitete, kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë. Kjo për faktin se më shumë se 90 për qind e komuniteteve janë të papunë.