Kosova mbyllet në fundjavë; në shtatë komuna kufizohet edhe lëvizja

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e miratoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja kundër koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së sotme deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.

Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.

Ai vjen pasi, ditëve të fundit, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve me koronavirus.

Të premten, nga testimi i 1,827 mostrave, pozitive kanë dalë 728.

SHIKONI EDHE: Mbushen kapacitetet spitalore me rastet e rënda

Krahas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për masat e veçanta kundër koronavirusit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mori vendime të veçanta edhe për shtatë komuna të Kosovës - Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen - për ndalimin e hyrje/daljeve të qytetarëve dhe automjeteve private nga sot, ora 20:00, deri të hënën, ora 05:00.

Përjashtim nga ky vendim do të bëjnë: personeli shëndetësor dhe personeli i sigurisë; qytetarët për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe për shitje të mallrave esenciale; operatorët ekonomikë dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, si dhe kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike.

Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe paralajmërohet se edhe komunat e tjera që hyjnë në zonën e kuqe të infeksionit - që do të thotë se kanë numër më të lartë të rasteve me koronavirus - do të përballen me masa të njëjta.