Dhomat e Specializuara në Hagë njoftojnë se ish-kryetri i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi do të bëjë paraqitjen e parë para gjyqit më 9 nëntor.
Seanca është caktuar që të mbahet në orën 11:00 dhe do të jetë publike.
Aktakuza ndaj Krasniqit, i cili ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.
Dhomat e Specializuara publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe po atë ditë u dërgua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ndaj Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit në aktakuzën e paraqitur nga Dhomat e Specializuara pretendohet se ata kanë kryer krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.