Osmani: Në këtë kohë na duhet lidership i fuqishëm

Vjosa Osmani në ambientet e Presidencës së Kosovës, ku gjatë një ceremonie, mori dhe zyrtarisht postin e ushtrueses së detyrës së presidentit. Prishtinë, 5 nëntor, 2020.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova po kalon nëpër kohë të vështira, andaj sipas saj, kjo kohë “kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore”.

Osmani, në një adresim për publikun, pas marrjes së kësaj detyre, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte, tha se Kosova gjendet në një kohë të vështirë dhe bëri thirrje për unitet.

“Angazhimi ynë për shtet ligjor na ka përballur me sfida të rënda, por ne nuk kemi hequr dorë nga përkushtimi për konsolidim të shtetit dhe për kultivim të vlerave demokratike. Pavarësisht sfidave ne kemi qëndruar fortë në besimin tonë, të cilin ju thërras ta dëshmojmë edhe në këto momente të vështira”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, qytetarët duhet të dëshmojnë unitet dhe besnikëri ndaj Republikës.

“Vendi ynë ka kaluar sfida të shumta gjatë historisë përfshirë edhe luftën e fundit, prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale dhe ta forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit tonë sepse shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida, duke i tejkaluar ato dinjitetshëm”, tha Osmani.

Your browser doesn’t support HTML5

Osmani: Shteti bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida

Osmani tha se vlerëson të gjithë ata që iu përgjigjën ftesës së Dhomave të Specizuara, duke thënë se këto veprime dëshmojnë “besim të palëkundur në drejtësi”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar. Proceset që vijnë pas, nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtrisë sonë çlirimtare”, tha Osmani.

Your browser doesn’t support HTML5

Thaçi: Jap dorëheqje nga pozita e presidentit

Si ushtruese e detyrës së presidentit, Osmani u zotua se do të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve, do ta ruajë kohezionin institucional, stabilitetin dhe unitetin e vendit. Ndryshe, sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Kush është Vjosa Osmani?

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës është kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe më herët ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës për tri mandate nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në këtë parti ajo ka mbajtur funksionin e nënkryetares.

Osmani u lind më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë, ku përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesme. Ajo me profesion është juriste. Studimet bachelor i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërkaq ato të nivelit master dhe të doktoraturës në Universitetin e Pitsburgut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga gushti i vitit 2006 e deri në shtator të vitin 2010 ka qenë këshilltare e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, Osmani ishte kandidate e LDK-së për kryeministre. Ajo në këto zgjedhjet fitoi 176 mijë vota dhe ishte personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në qershor, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas të cilit, Osmani kishte shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Osmani ka qenë pjesë e ekipit ligjor që ka mbrojtur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Më 3 shkurt 2020, Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke u bërë gruaja e parë që mban këtë post.

Vjosa Osmani është konsideruar si një nga kritiket më të mëdha të Hashim Thaçit, kur ai ishte kryeministër dhe president i Kosovës.

Osmani është e martuar dhe ka dy vajza.

Osmani tha se rajoni nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, nëse viktimat dhe agresorët barazohen.

“Ne, shqiptarët e Kosovës, kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidial. Kurse, Serbia ishte shteti që kreu këto krime”, tha Osmani.

Dhomat e Specializuara më 5 nëntor kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte edhe ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Më 4 nëntor, aktakuzat për krime lufte iu konfirmuan edhe ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në muajin qershor, Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte dërguar për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës aktakuzë kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave "të tjerë", emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

SHIKONI EDHE: Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?

Në aktakuzë thuhej se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, ishte thënë në deklaratë.

Thaçi ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së.

Your browser doesn’t support HTML5

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?

Ndërkaq, aktakuzat ndaj Krasniqit dhe Selimit nuk janë bërë ende publike.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.