Kosovë: Gjashtë viktima dhe 661 raste të reja me COVID-19

QKUK, foto nga arkivi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njofton se në 24 orët e fundit, janë regjistruar 661 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Rastet e reja – që përbëjnë shifrën më të lartë të infektimeve brenda një dite në Kosovë që prej fillimit të pandemisë – dalin pas testimit të 1,617 mostrave.

IKSHPK-ja po ashtu njofton se edhe gjashtë pacientë me koronavirus kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjakovë 3, Ferizaj 1, Gjilan 1 dhe Malishevë 1 të cilat i përkasin grup-moshës 50-59 vjeç 1 rast, 60-69 vjeç 2 raste, 70-79 vjeç 1 rast me mbi moshën 80 vjeçare janë 2 raste”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 22,206. Prej tyre, 720 pacientë kanë vdekur dhe 15,921 janë shëruar.

Ndërkaq, raste aktive janë 5,565.