Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij u konfirmuar aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një njoftimi nga presidenca thuhet se ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.
Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Kushtetuta parasheh se presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së presidentit.
Kosova me dorëheqjen e presidentit është ballafaquar edhe në vitin 2010, kur Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konstatimit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ai e "ka shkelur seriozisht Kushtetutën", me faktin se ka mbajtur dy poste – atë të presidentit të Kosovës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës në atë kohë ishte bërë Jakup Krasniqi, i cili ishte Kryetar i Kuvendit.
SHIKONI EDHE: Pas dorëheqjes së Thaçit, Osmani ushtruese e detyrës së presidentit