Britania rrit shkallën e kërcënimit nga terrorizmi

Ilustrim.

Niveli i kërcënimit nga terrorizmi në Britani të Madhe është rritur në “kritik”, si masë parandaluese pas sulmeve që kanë ndodhur në Francë dhe Austri, ka thënë ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel.

Ky ndryshim, që nënkupton se një sulm ka shumë mundësi të ndodhë, vjen një ditë pasi një sulmues në Vjenë, që është identifikuar si xhihadist i dënuar, ka lënë të vdekur katër persona në orët e vona të së hënës.

Franca, në anën tjetër, është përballur me tri sulme në javët e fundit.

“Kjo masë parandaluese është marrë pas shembujve të tmerrshëm që kemi parë në Francë javën e kaluar dhe ato që kemi parë natën e kaluar në Austri”, ka thënë Patel në një deklarim për media.

Ajo ka thënë se publiku nuk duhet të alarmohet dhe se ndryshimi i shkallës së kërcënimit nuk është bazuar në një kërcënim specifik.

Sipas sistemit qeveritar të klasifikimit, niveli i ri nënkupton që është shumë e mundshme që ndonjë sulm të ndodhë.

Niveli i kaluar nënkuptonte që ndonjë sulm i tillë ishte po ashtu i mundshëm.

Katër civilë janë vrarë dhe 22 janë plagosur gjatë sulmit të së hënës në Vjenë, të cilin, autoritetet austriake e cilësuan si "terrorist".

Policia austriake vrau sulmuesin, që e identifikuan si Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Më shumë për sulmin në Austri:

Edhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut të përfshirë në sulmin në Vjenë​