Viktima të tërmetit në Turqi janë edhe dy persona me prejardhje nga Kosova

Izmir, 30 tetor, 2020.

Dy qytetarë në Izmir, me prejardhje nga Kosova janë në mesin e viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë dhe Greqinë më 30 tetor.

Ambasada e Kosovës në Ankara ka konfirmuar se dy persona nga familja Doğrayan në Izmir kanë vdekur si pasojë e tërmetit.

“Mund të konfirmojmë se deri më tani nuk ka të dhëna për shtetas të Republikës së Kosovës të vdekur”, thuhet në një postim të ambasadës në llogarinë e saj në Facebook.

Autoritetet turke kanë konfirmuar se të paktën 35 persona kanë vdekur në Izmir, ndërkaq, autoritetet greke kanë thënë se dy persona kanë vdekur në ishullin grek Samos.

SHIKONI EDHE: Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Greqi

Tërmeti, që ndodhi më 30 tetor në detin Egje, ishte 7,0 shkallë të Rihterit tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.

Ekipet e shpëtimit në Izmir po vazhdojnë punën për të nxjerrë të mbijetuar të tjerë që gjenden nën rrënoja. Sipas autoriteteve turke, 180 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.