Forcat speciale të SHBA-së shpëtojnë një amerikan të marrë peng

Forcat amerikane, foto nga arkivi.

Forcat speciale të Shteteve të Bashkuara kanë shpëtuar një shtetas amerikan, i cili ka qenë duke u mbajtur peng në Nigeri që një javë, tha Pentagoni.

Shtetasi amerikan ishte rrëmbyer nga një person i armatosur në Niger më 27 tetor dhe u dërgua në Nigeri, ku forcat amerikane e liruan atë, tha Pentagoni përmes një njoftimi për media.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman tha se shtetasi amerikan është i sigurt dhe nën përkujdesjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë këtij operacioni, tha Hoffman. Ai gjithashtu tha se SHBA-ja vlerëson mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që kanë dhënë, që ky operacion i shpëtimit të realizohet.

“Fitore e madhe e forcave tona elite speciale. Detajet do t’i japim më vonë”, ka shkruar presidenti amerikan, Donald Trump në rrjetin social Twitter.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo lëshoi një deklaratë duke thënë se SHBA-ja është e përkushtuar që të kthejë në shtëpi të gjithë qytetarët e saj që mbahen peng.

“Ne e realizuam këtë përkushtim mbrëmë vonë në Nigeri, ku disa prej luftëtarëve tanë më të zot shpëtuan një qytetar amerikan”, tha ai.

Shtetasi amerikan, që u shpëtua, sipas mediave është Pholip Walton, 27 vjeç që jeton së bashku me gruan dhe familjen e tij. në Massalata, një fshat në jug të Nigerit.

Niger gjendet në rajonin Sahel, ku prezenca kryengritjet e grupeve që kanë lidhje me Al-Kaidën dhe militantët e Shtetit Islamik, kanë marrë jetën e mijëra personave.

Dhjetëra shtetas perëndimor aktualisht po mbahen peng në këtë rajon.