“Çdo gjë pres nga Serbia. Vetë i ka bërë krimet dhe vetë i ka gjykuar”.
Kështu thotë Bekim Gashi, i cili në masakrën në fshatin Tërnje të Suharekës, humbi 22 anëtarë të familjes. Në këtë mënyrë ai u përgjigjet pretendimeve të mediave se ish-pjesëtari i Ushtrisë së Jugosllavisë, Rajko Kozllina, ka ikur nga Serbia, pas dënimit të tij nga gjykata e atjeshme për këtë krim lufte.
Gashi ishte dëshmitar në Beograd, gjatë gjykimit të Kozllinit dhe një të akuzuari tjetër për krimin në Tërnje, Pavlle Gavrilloviq, ish-pjesëtar i Ushtrisë së Jugosllavisë, i cili është liruar nga përgjegjësia.
“Nuk befasohem në rast se Kozllina ka ikur dhe që nuk do ta vuajë dënimin. Ato gjykata janë formale, sa për sy të Evropës dhe botës, që të thonë se kinse po i gjykojmë ata që kanë bërë krime. E ato krime i ka kryer në mënyrë të organizuar shteti, i ka vrarë dhe më pas i ka zhdukur viktimat. Ja, tash e 21 vjet nuk po mundemi t’i gjejmë”, ka thënë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Your browser doesn’t support HTML5
Në masakrën në Tërnje, Gashi ka humbur nënën dhe katër motrat, si dhe 17 anëtarë të tjerë të familjes nga ana e axhës së tij. Në ditën kur ka ndodhur krimi, më 25 mars 1999, ai kishte arritur që të fshehet në nënkulmin e shtëpisë, ku kishte kaluar 2 ditë. Ai kishte parë se si po ia vrisnin familjen.
Çfarë ndodhi me të dënuarin Kozllina?
Rajko Kozllina, në prill të vitit 2019, nga Gjykata e lartë në Beograd është dënuar me 15 vjet burg për shkak të vrasjes së 15 civilëve shqiptarë dhe plagosjes së dy të tjerëve në fshatin Tërnje të Suharekës. Ai është fajësuar se ka urdhëruar një grup ushtarësh dhe bashkë me ta e ka kryer këtë krim.
Pasi që nuk është paraqitur për mbajtjen e dënimit me burg, Gjykata e parë Themelore në Beograd, më 9 shtator të këtij viti ka shpallur urdhëro-arrest, ndërkaq Rrjeti për Hulumtim i Ballkanit (BIRN) ka publikuar lajmin se Kozllin ka ikur nga vendi.
Çfarë thonë institucionet?
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a është e saktë që Kozllina ka ikur nga Serbia dhe as për atë se si ka ndodhur kjo.
Avokati i tij, Nikola Hanzhek, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me klientin e tij është dëgjuar për herë të fundit në dhjetor të vitit 2019.
“Më vonë jam përpjekur që ta kontaktoj dhe thjesht nuk kam kurrfarë informacionesh për të”, theksoi Hanzhek
Njëjtë sikurse nga Ministria e Punëve të Brendshme, as nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, nuk kanë arritur përgjigjet në pyetjet, të cilat Radio Evropa e Lirë u ka bërë lidhur me atë se a kanë informacione nga policia dhe a do të kërkojnë që të shpallin fletarrest ndërkombëtar për Rajko Kozllinan.
Përgjigje nuk ka marrë as BIRN-i, i cili më 29 tetor ka publikuar që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ka refuzuar kërkesën e këtij rrjeti që lidhur me këtë rast të ketë qasje të lirë në informacionet me interes për publikun.
BIRN-i ia ka parashtruar pyetjen Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, nëse Kozllina ka shfrytëzuar vendkalimin kufitar për të ikur nga vendi, marrë parasysh që ai nuk ishte paraqitur për të kryer dënimin me burg. Siç ka thënë BIRN-i, nga kjo ministri i janë përgjigjur se “dhënia e informacioneve do të thoshtë ‘shkelje e të drejtave për privatësi të personit’ dhe se ‘nuk ekziston interesi publik për ofrimin e kësaj informate’”.
Your browser doesn’t support HTML5
Pse Kozllina nuk ishte në paraburgim?
Prokuroria për krime të luftës ka ngritur që në vitin 2013 aktakuzën kundër pjesëtarëve, atëherë ende aktiv, të Brigadës së 549 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Pavlle Gavrilloviq, dhe Rajko Kozllina, për krimin në Tërnje.
SHIKONI EDHE: Beograd: Rajko Kozllin dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e civilëve në SuharekëGavrilloviq dhe Kozllina janë akuzuar se kanë dhënë urdhër ose kanë vrarë të paktën 27 civilë. Viktimat ishin burra, gra dhe fëmijë, ndërkaq që fëmija më i ri ishte 4 vjeç. Pasi që ishin vrarë, dyshohet se trupat e tyre i kanë marrë pjesëtarët e forcave serbe pë t’i fshehur në varrezë masive.
“Paraburgimi nuk u është caktuar anjëherë, me arsyetimin se nuk ekziston mundësia e përsëritjes së veprës penale. Natyrisht që vepra më nuk mund të përsëritet, sepse më nuk është gjendje lufte dhe nuk mund të përsëriten krimet e luftës. Por, ata kurrë nuk kanë qenë në paraburgim”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili në Serbi po i përcjell gjykimet për krimet e luftës.
Zhaniq shtoi që Fondi për të Drejtën Humanitare ka kërkuar nga Prokuroria për krime të luftës që të kërkojë paraburgimin për të akuzuarit.
Nga kjo prokurori nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se pse nuk ka kërkuar paraburgimin për shkak të rrezikut të ikjes.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në Beograd kujtojnë masakrën e SuharekësMungesa e të pandehurve gjatë gjykimit
Procedura kundër Kozllinas dhe Gavrilloviqit ka zgjatur 6 muaj dhe atë e kanë karakterizuar shtyrjet dhe mungesat e të pandehurve në seancat dëgjimore.
“Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë me radhë ka theksuar se gjyqi shpesh shtyhet për shkak të shtrimit në spital të Rajko Kozllinas, në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA). Disa herë ka ndodhur që ai të mos paraqitet në shqyrtimin kryesor gjyqësor, ndërkaq që pas kësaj, mbrojtësit e tij paraqitnin justifikime mjekësore nga Akademia Mjekësore Ushtarake”, tha Ivana Zhaniq.
SHIKONI EDHE: Pas luftës, krimeve dhe burgut, në fushatë për të hyrë në kuvendNga Akademia Mjekësore Ushtarake kanë mohuar pretendimet e Qendrës së të Drejtës Humanitare se institucionet shëndetësore të Ushtrisë Serbe ua mundësojnë Gavrilloviqit dhe Kozllinas që të shmangin seancat gjyqësore.
Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues, Mirjana Illiq, gjithashtu ka shprehur dyshimin se të akuzuarit me qëllim u shmangeshin seancave, duke përmendur probleme shëndetësore.
Në mars të vitit 2019, në sallën e gjyqit, ajo tha se Kozllin dhe i akuzuari i dytë në këtë rast, Pavlle Gavrilloviq, shpesh u janë referuar problemeve shëndetësore para seancës, por nga të cilat po shërohen pas seancës.
“Kjo nxit dyshime serioze se diçka krejtësisht tjetër po ndodh”, pati thënë Illiq në gjykatë.
“Betimi për heshtje”
Rajko Kozllina, gjatë kohës së gjykimit ende ka qenë pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë. Nga Ministria e Mbrojtjes nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kur është pensionuar ai dhe si e komentojnë pretendimin se ai ka ikur nga vendi.
“Ata janë ushtarë dhe nuk jam e befasuar që institucionet po heshtin. Ai ka mundur që të kalojë edhe me pasaportë të rrejshme, ka mundur që të kalojë edhe përmes disa vendkalimeve kufitare që nuk janë të ligjshme. Nuk e dimë se ku ka shkuar dhe në fakt kur ka shkuar. Ky është një betim i heshtjes dhe një mënyrë që ata edhe më tej të mbrohen. Është porosi për ta që shteti gjithmonë do t’ju qëndrojë prapa”, theksoi Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Mbështetja për Rajko Kozllinan ka arritur edhe nga adresat e të djathtëve ekstrem. Në muajin prill të vitit 2019, shoqata e paregjistruar “Nisma nuk ka dorëzim të Kosovës dhe Metohisë”, në faqen e saj të internetit ka publikuar komunikatën, në të cilën është thënë që “është për të ardhur keq që shumë po i lajnë duart e tyre nga luftëtarët që mbrojtën atdheun tonë”.
“Ne nuk i kemi harruar ata dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në fuqinë tonë për të ndihmuar”, thuhet në komunikatë.
Bekim Gashi as që ka pritur që Kozllina do të vuajë dënimin për krimet që ka kryer.
“Natyrisht që shteti do ta mbrojë, sepse ai nuk ka vepruar si individ, por ka qenë anëtar i ushtrisë serbe në detyrë. Në rast se këto krime do të ishin gjykuar në një gjykatë speciale, sikurse që është tash rasti me Kosovën, atëherë do të prisja që ai të merrte dënimin e merituar”, thekson Gashi.
Ai kurrë nuk i gjeti trupat e nënës dhe motrave të vrara. Në nëntor të vitit 2018, Gashi kishte rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se i ka pritur 18 herë trupat e familjarëve të tij në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, sa herë që zbuloheshin varrezat në Serbi.