Përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve shtetërorë mbetet peng i pazareve politike në Maqedoninë e Veriut, theksojnë njohësit e çështjeve politike, duke shtuar se kjo në masë të theksuar e pengon reformimin e institucioneve në përputhje me detyrimet, të cilat i janë përcaktuar vendit për sa i përket procesit të euro-integrimeve.
Këto reagime vijnë pas emërimit të shumë drejtorëve në institucionet e shtetit nga ana e qeverisë.
Një pjesë e deputetëve tashmë e kanë dorëzuar mandatin pasi janë emëruar në pozita drejtor ose drejtues të këshillave në institucione të ndryshme të shtetit.
SHIKONI EDHE: Meritat partiake, kriteri bazë për funksione publikeSanja Lukarevska pasi dorëzon mandatin e deputetes, emërohet drejtore Drejtorisë së të Hyrave Publike, të cilin institucion e ka drejtuar edhe gjatë qeverisë paraprake . Edhe Bajram Rexhepi, gjithashtu, e ka dorëzuar mandatin e deputetit, pasi mori detyrën si anëtar i Këshillit të Drejtorëve të Shoqërisë Aksionare për Veprimtari Energjetike, e paraprakisht ai kishte drejtuar Drejtorinë e Resurseve Energjetike.
Biljana Jovanvska nga posti i drejtorit në Agjencinë për Punësim, kalon në krye të Fondit të Sigurimit Pensional.
Borçe Haxhiev nga posti i drejtorit të Fondit të Sigurimeve të Depozitave, kalon në krye të Byrosë së të Hyrave Publike.
Përderisa Ejup Rustemi nga Posta e Maqedonisë, tani do të drejtojë Ndërmarrjen Publike të Rrugëve. Rotacione të shumta të njerëzve të njëjtë ka edhe në shumë drejtori.
SHIKONI EDHE: Pushteti forcon kontrollin mbi gjyqësorin në MaqedoniArsim Sinani, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja e emrave të njëjtë nga një pozicion shtetëror në tjetrin, tregon se liderët e partive politike nuk janë të gatshëm për ndryshime thelbësore, ndërkohë që të paktën në deklarata thonë se angazhohen për inkuadrimin e vendit në Bashkimin Evropian, e kjo bie ndesh me parimet demokratike ku zgjedhja e drejtuesve të institucioneve bëhet në bazë të aftësive profesionale dhe jo afërsisë me strukturat udhëheqëse të partisë.
“Lëvizja e këtyre emrave të njëjtë për shumë kohë, e mban vendin në apati, për shkak se njerëzit e njëjtëe i lëvizin nga një pozicion në pozicionin tjetër duke luajtur lojën e një shahu politik”, thotë Sinani, duke shtuar se kësaj praktike duhet t’i jepet fund pasi, siç thekson ai, udhëheqja e mirë është çelës për sa i përket kthimit të besimit të qytetarëve tek institucionet e shtetit.
Pothuajse një vit të plotë në procedurë parlamentare ka ngecur Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, në bazë të të cilit sekretarët shtetërore dhe një pjesë e drejtorëve të institucioneve shtetërore do të mundësohet të zgjidhen në bazë të meritave dhe aftësive profesionale dhe jo afërsisë me krerët e partive politike.
Në bazë të këtij ligji, zgjedhja e udhëheqësve të institucioneve parashihet të bëhet në mënyrë transparente, pasi, siç theksohet në arsyetimin e nevojës për miratimin e ligjit në fjalë, profesionalizmi i shërbimit të lartë udhëheqës është një nga kushtet kyçe për avancimin e kapaciteteve organizative dhe përforcimin e udhëheqjes së mirë në institucionet e sektorit publik.
Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës nuk do të aplikohet në: gjyq, prokurori publike, institucione të fushave të sigurimit, përcjellje të komunikimeve, inteligjencë, mbrojtje dhe në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut – përfaqësitë konsullore, komunat, qyteti i Shkupit ose komunat e qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjet e krijuara publike, institucionet publike dhe organet rregullatore.
Politikologu Petar Arsovski vlerëson se ndërhyrja e politikës në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve bën që profesionistët në lëmi të caktuara, të mos e shohin të ardhmen e tyre në vend.
“Ne nuk kemi politikë të mbajtjes së kuadrove profesionale në institucionet e shtetit, po as në shtet, prandaj në të shumtën e rasteve ata kalojnë ose në sektorin privat ose vendosin që tërësisht të largohen nga vendi”, vlerëson Arsovski.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Instituti për Demokraci me një letër drejtuar kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
SHIKONI EDHE: Ligjet reformuese nuk mund të miratohen pa votat e opozitësNga ky institucion kanë kërkuar që zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të bëhet në mënyrë transparente, me kushte qartë të përcaktuara që duhet t’i plotësojnë kandidatët për këto pozita.
Vetëm përmes konkurrencës, njerëzve që nuk janë anëtarë të një partie politike mund t’u jepet një shans për të drejtuar një institucion dhe për të ndihmuar shtetin me njohuritë e tyre”, thuhet në njoftimin e Institutit për Demokraci, ku theksohet Qeveria nëse vërtet dëshiron parandalojë emigrimin e profesionistëve, ashtu siç zotohet të paktën deklarativisht atëherë në praktikë duhet të dëshmojë se u jep shans profesionistëve për të treguar veten në të kundërtën, ata do të gjejnë një vend tjetër ku aftësitë dhe njohuritë e tyre do të vlerësohen.
Nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit kanë theksuar se po zvarritet në forma të ndryshme Ligji për zgjedhjen dhe emërimin e drejtorëve të institucioneve të shtetit, ndërkohë që emërimi i udhëheqësve të institucioneve bëhet në saje të pazareve politike në mes partnerëve të koalicionit qeverisës duke i ndarë mes vete drejtoritë.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i angazhuar për luftën kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, me marrjen e kësaj detyre, është zotuar se asnjë drejtues i institucionit nuk do të zgjidhet nëse nuk dorëzon planprogram të qartë të detajuar për funksionimin e institucionit të caktuar nëse dëshiron të futet në garë për të marrë në drejtim institucionin përkatës.