Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, mitropoliti Amfilohije, vdiq mëngjesin e së premtes.
Lajmi u konfirmua nga Kisha, e cila tha se Amfilohije, 82 vjeç, vdiq në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.
Udhëheqësja e Klinikës së Pulmologjisë në këtë spital, Jellena Boroviniq Bojoviq, tha pas mesnatës së shkuar se gjendja e mitropolitit është serioze, se është intubuar dhe vendosur në ventilim invaziv.
Më 7 tetor është bërë e ditur se Amfilohije është shtruar në spital për trajtim të koronavirusit.
Fillimisht, mjekët e kanë vlerësuar situatën e tij si të qëndrueshme.
Mali i Zi ka regjistruar gjithsej mbi 17,300 raste me koronavirus dhe 282 viktima.