Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Maqedonisë së Veriut gjendjen me pandeminë e ka vlerësuar si serioze, ndërsa i ka bërë thirrje popullatës që t’i respektojë masat mbrojtëse, si mundësi e vetme për përballje me sëmundjen COVID-19.
“Gjendja është jashtëzakonisht serioze. Të gjitha resurset materiale dhe njerëzore janë në funksion të përballjes me pandeminë. Ditët në vijim do të jenë edhe më të rënda për faktin se jemi edhe në periudhën e virozave sezonale. Si asnjëherë më parë na duhet përgjegjësi, solidaritet dhe kujdes".
"Në mungesë të vaksinës, alternativë tjetër nuk kemi, përveç respektimit të protokolleve dhe të gjitha masave tjera për mbrojtje nga virusi”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pas mbledhjes së Këshillit të cilin e përbëjnë drejtuesit e institucioneve më të larta shtetërore.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut me ligj për mbrojtje nga COVID-19Masat për mbrojtjen nga koronavirusi, që përfshijnë mbajtjen e maskës edhe në ambiente të hapura, si në rrugë, në tregje, transportin publik dhe në të gjitha institucionet tjera të mbyllura, qoftë shtetërore apo biznese private, janë miratuar të mërkurën në mbrëmje nga Kuvendi, në kuadër të Ligjit për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse.
Ligji është miratuar pas një debati disaditësh mespushtetit dhe opozitës, e cila masat e qeverisë i ka vlerësuar të pamjaftueshme për mbrojtjen e popullatës nga përhapja e shpejtë e sëmundjes COVID-19.
SHIKONI EDHE: Të infektuarit me COVID-19, thonë se i ndjejnë pasojat edhe pas shërimitMenjëherë pas miratimit të ligjit, policia ka shtuar kontrollet në funksion të zbatimit të dispozitave ligjore. Për mosrespektim të vendimit pason gjoba prej 20 eurosh, ndërsa për mosrespektim të masës së izolimit gjoba arrin në 50 euro.
“Gjatë natës së kaluar dhe ditës së enjte në terroritorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar 879 shkelje të masave për mbrojtje personale dhe mospërhapje të virusit. MPB-ja u bën thirrje qytetarëve që të jenë të ndërgjegjshëm dhe t’i respektojnë masat dhe protokollet e qeverisë për mbrojtje nga COVID-19”, ka deklaruar Goce Andreevski, nga shërbimi për informim i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ligji, gjithashtu, ndalon grumbullimin e më shumë se katër personave pas orës 22.00, ndërsa pas orës 23.00 ndalohet çdo veprimtari e bizneseve të gastronomisë, si dhe të lokaleve tjera të natës. Para miratimit të ligjit, qeveria ka tërhequr dispozitën që parashikonte mundësinë e ndërhyrjes së policisë në banesa dhe objekte tjera të banimit, në rast se ka informacione për grumbullim të më shumë personave.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. regjistron 641 raste të reja me koronavirus dhe 12 të vdekurLigji gjithashtu rregullon trajtimin e njerëzve me COVID-19. Përveç trajtimit në institucionet shëndetësore publike, sipas indikacioneve mjekësore, pacientët mund të trajtohen dhe izolohen në institucione shëndetësore private që kanë licencë për të kryer aktivitetin e kujdesit intensiv dhe terapisë ose në shtëpi, nëse ekzistojnë kushtet për këtë.
“Ne i menaxhojmë të gjitha institucionet publike sikur edhe kapacitetet e tyre. Për momentin kemi vende të lira për pacientët, por nëse vijmë në situatë që të përballemi me fluks të madh të të infektuarve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, atëherë pacientët do t’i vendosim në spitalet private dhe shpenzimet pët këtë do t’i mbulojë Fondi i sigurimeve shëndetësore. Por, unë besoj se nuk do të vijmë në një situatë tillë, pasi në rast se i respektojmë masat, besojmë se situatën jo vetëm që do ta kemi nën kontroll, por edhe do ta normalizojnë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe.
Maqedonia e Veriut ka regjistruar të mërkurën 870 persona të infektuar me koronavirusin e ri, si dhe 14 viktima, që paraqet shifrën më të lartë të personave të infektuar brenda një dite që nga paraqitja e rastit të parë në muajin shkurt. Nga COVID-19 deri tani kanë vdekur 963 persona nga rreth 29 mijë sa janë infektuar, prej tyre rreth 8 mijë janë ende raste aktive.