Punëtorët shëndetësorë në Kosovë do të marrin pagesa shtesë deri në fund të këtij viti, bazuar në Ligjin anti-COVID.
Ky pajtim është arritur të enjten ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK).
Sipas njoftimit, të punësuarit në sistemin publik shëndetësor, do t’i marrin pagesat shtesë për peridhën nga shtatori deri në dhjetor të këtij viti.
Mjekët do të marrin nga 250 euro në muaj, infermierët nga 150 euro në muaj dhe stafi mbështetës do të marrë nga 100 euro në muaj.
“Kryeministri Hoti është zotuar se qeveria, në afat shumë të shkurtër kohor, do t’i kryejë edhe pagesat shtesë për stafin mbështetës, për muajt korrik dhe gusht të këtij viti. Palët, po ashtu, janë dakorduar që në fillim të vitit të ardhshëm, të diskutohen mundësitë për pagesat shtesë për kohën sa do të zgjasë pandemia me COVID-19, në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës ka kërkuar vazhdimisht nga ministri i Shëndetësisë pagesë shtesë për punëtorët shëndetësorë.