Gjermania vendos masën e izolimit të pjesshëm

Gjermania gjatë pandemisë së koronavirusit

Gjermania ka vendosur të mbyllë baret dhe restorantet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi nga data 2 nëntor.

Në kuadër të masave të reja, gjithashtu do të kufizohet numri i njerzve në tubime me një maksimum prej 10 personash. Shkollat dhe dyqanet megjithatë do të lejohen të qëndrojnë të hapura, tha Merkel.

"Këto janë masa të vështira", u tha Merkel gazetarëve, duke shtuar se, firmat e goditura nga ky bllokim i pjesshëm i ri do të kenë mbështetje financiare nga qeveria.

"Ne do të kompensojmë kompanitë, institucionet dhe klubet e prekura. Ne duhet të veprojmë dhe duhet të veprojmë tani - për të shmangur një emergjencë shëndetësore kombëtare", tha Merkel.

Your browser doesn’t support HTML5

Evropa përsëri në izolim

Gjermania të mërkurën raportoi për gati 15 mijë raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 464,239.

Më 28 tetor u raportua edhe për 85 të vdekur. Numri i përgjitshëm i vdekjeve ka arritur në 10,183.

"Nëse presim derisa njësitë e kujdesit intensiv të mbushen, atëherë është tepër vonë", tha ministri i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, i cili javën e kaluar doli pozitiv në koronavirus.