Kaczynski u kërkon polakëve të mbrojnë patriotizmin, pas protestave për abortin

Jaroslaw Kaczynski.

Jaroslaw Kaczynski, lideri i partisë në pushtet në Poloni, Ligji dhe Drejtësia, ka insistuar të martën se vendimi i gjykatës që kufizon edhe më shumë kushtet e abortit nuk mund të kthehet mbrapsht, si dhe ka kërcënuar me veprime kundër protestave masive, që janë zgjeruar në Poloni, prej vendimit të marrë një javë më parë.

Pesë ditë të protestave kombëtare kanë nisur pas vendimit të Tribunalit Kushtetues, që ndalon pothuajse të gjitha rastet e abortit në shtetin me shumicë katolike.

Kur të nisë së zbatuari ky vendim, ndërprerja e shtatzënisë do të jetë e mundshme për rastet e incestit, dhunimit apo rrezikimit të shëndetit të nënës.

Gjykata ka thënë se aborti për shkak të anomalive të fetusit, që deri më tani është mundësuar, tani është jokushtetues.

“Nuk do të mund të kishte pasur vendim më ndryshe marrë parasysh kushtetutën… neve na duhet të kujtojmë se kemi të drejtë plotësisht kur kemi të bëjmë me pyetje ligjore”, ka thënë Kaczynski, përmes një paraqitjeje në faqen e tij në Facebook.

“Nuk mund ta ndryshojmë këtë vendim kur kemi këtë kushtetutë”.

Ai ka thënë se protestat do t’iu kushtojnë shumë njerëzve me jetë dhe ka paralajmëruar se ata që bëjnë thirrje apo marrin pjesë në protesta janë duke kryer krim, andaj u ka kërkuar polakëve që të bëjnë më shumë për të “mbrojtur Poloninë dhe patriotizmin”, ashtu sikurse kishën.

Mesazhi i tij ka ardhur pasi kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka bërë thirrje për dhënie fund të protestave sa u përket të drejtave të abortit, duke thënë se ata që po marrin pjesë janë duke iu shpërfaqur “rreziqeve masive”, të nxitura nga pandemia e koronavirusit.