Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi mbetet peng i mosmarrëveshjeve të deputetëve të pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut, derisa ky institucion që nga maji i vitit 2019 mbeti pa asnjë anëtar.
Nga opozita maqedonase kanë theksuar se duhet të precizohen kriteret sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të këtij komisioni, përderisa ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shapansa, ka theksuar se në bazë të propozim-ligjit në fjalë sigurohet parimi i barazisë dhe parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
SHIKONI EDHE: Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë dhjetëra “institucione fantome”Propozim-ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, është në procedurë parlamentare pasi miratimi i të njëjtit ligj nga përbërja e kaluar parlamentare u anulua në maj të këtij viti nga Gjykata Kushtetuese për shkak të kontestimit të opozitës se miratimi i ligjit u bë pa shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve.
Miratimi i ligjit në fjalë i hap rrugë formimit të Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi në mënyrë që qytetarët të mund të parashtrojnë ankesa kur ndjenjë se janë pre e diskriminimit në forma të ndryshme.
Organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e njeriut, kërkojnë që zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi të bëhet sipas modelit të zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, përkatësisht, i gjithë procesi zgjedhor të bëhet në sy të opinionit.
Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi ka theksuar se ndjehen të indinjuar pasi deputetët e shumicës parlamentare gjatë mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe atij për çështje evropiane dhe juridik-ligjdhënës, gjatë leximit të propozim-ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, ka hedhur poshtë amendamentin e Nenit 18 me të cilin rregullohet zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi, qëllimi i të cilit është të sigurohet pavarësia e Komisionit, transparenca dhe procedura inkluzive për zgjedhje në përputhje me standardet që janë apostrofuar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian.
Nga Rrjeti i organizatave joqeveritare kanë theksuar se në bazë të propozimit të tyre krijohet mundësi që anëtarët e Komisionit të jenë persona që do të zgjidhen sipas sistemit të meritave të vlerave, e jo në marrëveshje politike dhe partiake.
Njohësit e çështjeve juridike në Maqedoninë e Veriut, thonë se politika duhet të heq dorë në zgjedhjen e anëtarëve të komisionit kundër diskriminimit në mënyrë që kjo dukuri të mund të luftohet në çdo pore të shoqërisë duke theksuar se “çdo institucion vlen aq sa janë të vlefshëm dhe profesional personat që punojnë në të”.
Mirjana Najcevska aktiviste për të drejtat e njeriut për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut si shtet që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian institucionet duhet ti shkëpusë nga ndikimi I politikës, duke u hap rrugë ekspertëve të lëmive përkatëse.
“Që të mund të punojë komisioni përkatës, ai për mbrojtje nga diskriminimi, nevojitet që në të të instalohen persona me eksperiencë, të pavarur nga partitë politike, personalitete të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës së përgjithshme në aspektin normativ".
"Dhe përfundimisht nëse pushteti mendon se kjo çështje është me prioritet, ndërkohë që ashtu duhet të jetë atëherë duhet të ndahen më shumë mjete për funksionimin e këtij institucioni, përkatësisht Komisioni kundër diskriminimit, që të mund të sigurohet mbështetje profesionale për këtë Komision”, theksoi Najçevska.
Ndërkaq, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se autoritetet e vendit duhet t'i qasen me seriozitet miratimit të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi me këtë dhe formimit të komisionit si trup që duhet të detektojë rastet e shfaqjes së diskriminimit në të gjitha format ishte apostrofuar dhe si detyrë nga ana e Brukselit dhe në Raportin e Komisionit evropian
“Duket qartë se qëllimi i partive politike nuk është dhe aq mbrojtja e interesave të gjithë qytetarëve por para së gjithash të gjithë ata të kenë kontroll mbi të gjitha organet dhe institucionet përfshi këtu dhe ata që kryekëput duhet të jenë të pavarura jashtë ndikimit të politikës”, thotë Neziri.
Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë së Veriut më shumë parashtresa për sa i përket diskriminimit drejtuar Komisionit për parandalimin e korrupsionit nga viti 2011 deri në vitin 2018 derisa ka funksionuar me punë kanë të bëjnë me diskriminimin mbi bazë të përkatësisë politike, më pas kanë të bëjnë me diskriminimin mbi përkatësinë etnike dhe më pas radhiten ata mbi statusin social, gjininë dhe aftësitë e kufizuara.
SHIKONI EDHE: Punëtorët hezitojnë kthimin në punë, arsyetohen me kujdesin e fëmijëveGjatë vitit 2018, kur ka qenë funksional ky komision, janë dorëzuar gjithsej 132 parashtresa me ç'rast shumica e parashtresave ishin dorëzuar në bazë të diskriminimit të statusit personal ose shoqëror– 25%, pastaj është diskriminimi me bazë të përkatësisë politike – 21,97%, gjendja shëndetësore – 9,09%, grupet e margjinalizuara – 8,33%, përkatësia etnike – 7,58%, mosha – 6,06%, pengesa trupore ose mendore– 3,79%, gjinia – 3,03%, gjendja familjare ose martësore – 3,03% etj.