Pjesa më e madhe e të infektuarve nga virusi COVID-19 në Maqedoninë e Veriut edhe pasi kalojnë në kategorinë e pacientëve të shëruar nga ky virus, thonë se iu lë gjurmë në shëndetin e tyre pasi ndjejnë plogështi në trup, herë pas herë përzierje në stomak dhe marramendje.
Fitim Kryeziu me profesion gazetar dhe njëherësh kryetar i Klubit të Basketbollit ‘Albes’ në Shkup, për Radion Evropa e Lirë rrëfen se lufta e tij me koronavirusin ka qenë shumë e vështirë.
Me shfaqjen e simptomave të para në fillim të muajit gusht, ai për tetë ditë është mjekuar në kushte shtëpie, por me përkeqësimin e situatës shëndetësore, Fitimi është shtrirë për dy javë në Klinikën Infektive në Shkup.
Ai duke shpjeguar përvojën e tij për sa i përket përballjes me virusin COVID-19, thotë se ka bërë gabim që nuk është paraqitur në spital menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para.
“Kjo periudhë e shërimit në kushte shtëpie mendoj se ka qenë gabimi më i madh i imi, dhe këtë gabim si duket e bëjnë shumica e personave të prekur nga COVID-19 të cilët tentojnë që me çdo kusht të shërohen në kushte shtëpiake dhe në klinikë drejtohen kur veçmë janë në gjendje shumë të rëndë ku dhe intervenimi i mjekëve në këtë gjendje është shumë më i rëndë” thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Ai tha se pas marrjes së terapisë, në ditën e tretë në Klinikën Infektive, gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përmirësohet.
Po ashtu, Kryeziu tha se edhe pas shërimit nga virusi, tanimë dy muaj negativ në testim, ka probleme shëndetësore.
”Për sa i përket periudhës së pas-shërimit (pas rezultatit negativ) ajo është e rëndë, ku në raste të caktuara ndoshta i ndjej simptomat e njëjta sikurse gjatë kohës që isha i infektuar me virus. Sigurisht se në përjashtim të temperaturës trupore të cilën nuk e kam pasur që nga përudha kur kam dalur nga spitali, por simptomat që i ndjej edhe sot janë marramendjet, kokëdhembjet e mëdha në raste të caktuara, por edhe dhimbjet në këmbë dhe duar. Në raste të caktuara kam edhe dridhje në duar dhe në këmbë“, tha ai.
SHIKONI EDHE: Pse disa njerëzve iu duhet kohë e gjatë për t’u rikuperuar nga COVID-19?Ai thekson se infeksioni është serioz dhe në asnjë mënyrë nuk duhet neglizhuar sepse ai mund të jetë agresiv edhe tek ata të cilët janë me kondicion fizik të mirë.
Mjekët thonë se gjendja shëndetësore e brishtë e pecientëve të shëruar nga virusi COVID-19 paraqitet si normale për pacientët e shëruar nga kjo sëmundje e re.
SHIKONI EDHE: OBSH paralajmëron rritje të numrit të vdekjeve nga COVID-19
Farmacistët i hedhin poshtë dilemat e shumta në opinion se simptomat pas shërimit janë si rrjedhojë e terapisë së rëndë që pranojnë këta pacientë.
Bistra Angellkovska, farmaciste, thotë se ilaçet që i pranojnë të sëmurët me COVID-19 nuk janë të reja, pra përdoren me vite dhe të njëjtat nuk lënë pasoja afatgjate tek pacientët.
“Terapia e cila tani aplikohet tek pacientët për shërim nga koronavirusi nuk lë pasoja, përkatësisht nuk ka reaksione të padëshiruara. Ilaçi përderisa merret ka dhe kohën e vet të eliminimit, ai për një kohë shmanget nga vetë organizmi. Ato janë ilaçe të njohura, me profile të njohura për sa i përket sigurisë“.
“Sigurisht se simptomat si lodhje, plogështi dhembje të gjymtyrëve janë si rrjedhojë e vetë sëmundjes së koronavirusit dhe jo si pasojë e terapisë që kanë marrë këta pacientë”, tha Angellkovska.
Ajo njëherësh thekson se më me rëndësi është që pacientët që kanë qenë të prekur nga virusi COVID-19 por edhe të gjithë qytetarët, kujdes të veçantë t’i kushtojnë ngritjes së imunitetit.
SHIKONI EDHE: Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara për masat ndaj COVID-19Nga Klinika Infektive në Shkup, thonë se pjesa më e madhe e pacientëve hezitojnë të paraqiten me kohë në spital dhe kjo e vështirëson në masë të theksuar shërimin madje dhe tek pacientët me gjendje të mirë fizike.
Duke komentuar informacionet e fundit se së fundmi numri i të prekurve nga virusi është më i madh te grupmoshat nga 30 deri në 39 vjeç, drejtoresha e Klinikës Infektive në Shkup Milena Stefanoviq, për Radion Evropa e Lirë thotë se problematike mbetet neglizhenca tek një pjesë e qytetarëve.
“Qytetarët e grupmoshës më të re janë më aktivë. Më shumë lëvizin. Vihen në rrezik më të madh. Më pak bëjnë kujdes në transmetimin e sëmundjes, duke menduar se kinse është e pamundur për ta të infektohen si dhe po ta marrin sëmundjen, nuk mund të kenë pasoja të rënda. Por, ne e pamë se nuk është ashtu. Së paku, jo për të gjithë”, tha Stefanoviq.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut kohën e fundit ka shënuar rritje të theksuar numri i të infektuarve nga koronavirusi. Ministri i Shëndetësisë ka theksuar se situata është shumë serioze se tanimë në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut kapacitetet e spitaleve janë të plotësuara sa i përket hospitalizimit të pacientëve të infektuar me virusin COVID-19.