Një muaj paraburgim për punëtorin e Thesarit  

Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj punëtorit të Thesarit të Kosovës, në rastin e transferit të 2 milionë eurove nga ky institucion shtetëror në një kompani private.

Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se e ka arrestuar të dyshuarin L.G kurse dy persona të tjerë, që janë pronar të kompanisë private ku u transferuan paratë, gjenden në arrati.

Siç njofton Gjykata, i pandehuri me iniciale L.G dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykata tha se mori vendim për ta dërguar në paraburgim, nga frika se i njëjti mund të arratiset apo edhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës të tjerë.

SHIKONI EDHE: Si bëhen transfere nga Thesari i Kosovës?

“I pandehuri L.G dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton Gjytata Themelore e Prishtinës.

I arrestuari është L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Më herët gjatë ditës është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të arrestuarit. Avoakti i L.G, Veton Rrecaj tha se Prokuroria nuk paraqiti “asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”.