SHBA: Irani dhe Rusia kanë siguruar informacion të votuesve

Ilustim.

Irani dhe Rusia kanë siguruar të dhëna të votuesve amerikanë dhe janë duke tentuar të ndikojnë opinionin publik para zgjedhjeve të 3 nëntorit, kanë thënë zyrtarë amerikanë për siguri kombëtare.

“Ne kemi konfirmuar se një pjesë e informacionit të votuesve të regjistruar është siguruar nga Irani dhe ndaras nga Rusia”, ka thënë Drejtori për Inteligjencë Kombëtare në SHBA, John Ratcliffe.

Ratcliffe dhe shefi i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Chris Wray, kanë thënë në një konferencë për media se Shtetet e Bashkuara do të vendosin kosto për secilin shtet të huaj që ndërhyn në zgjedhjet amerikane.

Përveç veprimeve të Iranit dhe Rusisë, ata kanë thënë se amerikanët mund të jenë të sigurt për procesin zgjedhor në SHBA.

Ratcliffe ka thënë se Irani ka dërguar emaile me qëllim të frikësimit të votuesve, të krijimit të trazirave shoqërore dhe dëmtim të presidentit aktual, Donald Trump.

Ai ka thënë se Irani është përgjegjës për dërgimin e emaileve te votuesit demokratë në të paktën katër shtete kyçe, përfshirë Floridan dhe Pensilvaninë.

Emailat kërcënuese, që në mënyrë të rreme është thënë se janë dërguar nga grupi i të djathtës ekstreme, Proud Boys, kanë paralajmëruar votuesit se do të shkojnë mbrapa tyre nëse nuk votojnë Trumpin.

Operacioni i frikësimit të votuesve fillimisht ka nisur duke përdorur adresat elektronike të votuesve, që kanë qenë në lista të regjistrimit, të cilat përfshijnë preferencat politike dhe adresat e shtëpisë, apo edhe numrat e telefonit.

Ende nuk është bërë e qartë nëse informacioni është hakuar apo është siguruar në ndonjë tjetër mënyrë, përfshirë rrjetet kriminale.

Disa informacione të votuesve janë të qasshme për publikun.

Ratcliffe ka thënë se inteligjenca amerikane nuk ka parë veprim të ngjashëm nga Rusia, mirëpo “ne jemi të vetëdijshëm se ata kanë siguruar informacion të votuesve ashtu sikurse më 2016”.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë thënë paraprakisht se Irani, Rusia dhe Kina janë duke synuar të ndikojnë në zgjedhjet e vitit 2020.