Hoti: Nuk pres që Asociacioni ta bllokojë dialogun 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti qëndrimin e tij se për Kosovën, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e mbyllur dhe se për të njëjtën, pala kosovare nuk do të bisedojë në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pavarësisht se Serbia e ka kushtëzuar dialogun me temën e Asociacionit, Hoti, në një konferencë për media të mërkurën në Prishtinë, tha se kjo temë nuk do ta bllokojë procesin e negociatave.

“Unë nuk pres që Asociacioni ta bllokojë procesin e dialogut për shkak se është edhe një dakordim i ndërmjetësit për dialog, që çështja e Asociacionit, marrëveshja për Asociacionin është temë e mbyllur”, tha Hoti.

SHIKONI EDHE: Gracka e ndryshimeve kushtetuese bllokon dialogun

Ai shtoi se nëse procesi i dialogut bllokohet, kjo nuk do të ndodhë për fajin e Kosovës, pasi, sipas tij, qeveria që ai udhëheq, ka treguar përkushtim për këtë proces që prej marrjes së mandatit në fillim të qershorit.

Kryeministri Hoti u pyet edhe për ndryshimet kushtetuese në Kosovë dhe Serbi, për të cilat ka folur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Kushtetuta është prekur më 2013, kur është ratifikuar kjo marrëveshje (v.j. për Asociacionin). Është marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar me 2/3 (e votave të deputetëve të Kosovës)”, tha Hoti.

Lajçak, gjatë qëndrimit në Prishtinë javën e kaluar, ka thënë se Kosova e ka marrë obligim themelimin e Asociacionit me marrëveshjen e 2013-së. Andaj, sipas tij, Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

SHIKONI EDHE: BE: Lajçak u keqinterpretua, ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin

Kosova dhe Serbia, më 2013, kanë arritur marrëveshjen e parë, me të cilën parashihej edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Më 2015, dy palët kanë arritur një marrëveshje të dytë lidhur me parimet e themelimit të këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.