Sfida e Maqedonisë së Veriut në luftimin e korrupsionit në nivel të lartë

Ilustrim.

Ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se Maqedonia e Veriut do të mbetet në fokus të kritikave nga Brukseli zyrtar, sa i takon luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pasi shumë procese gjyqësore, që janë ngritur nga Prokuroria Speciale për vite me radhë nuk po marrin epilog gjyqësor.

Ish-gjykatësi, Bashkim Selmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut i ka rrënjët thellë brenda sistemit. Ai thotë se përderisa rastet gjyqësore të ngritura nga Prokuroria Speciale nuk marrin epilog, përmes proceseve transparente, nuk mund të thuhet se institucionet e shtetit kanë nisur “të ç’kapen nga korrupsioni”.

“Cili është problemi? Kryerja e funksionit. Nuk është dëshmuar se organet policore janë të parat që japin kallëzimet penale, pastaj është prokuroria që bën fletëparaqitjen penale për çështje të caktuar dhe epilogun përfundimtar e jep gjyqësori. Fatkeqësisht, nëse i analizojmë këto tre institucione, që të tre këto institucione mbeten më të korruptuarat në shtet. Pastaj, rastet e ngritura nga Prokuroria Speciale ku janë të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë nuk arrijnë të marrin epilog gjyqësor sepse këtu korrupsioni ka hyrë në procesin e metastazës në sistemin gjyqësor”, thotë Selmani.

SHIKONI EDHE: KE: Pak progres në luftën kundër korrupsionit në rajon

Ndryshe, në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian u kërkua që Maqedonia e Veriut të arrijë rezultate konkrete sa i përket luftës kundër korrupsionit, në veçanti të rrisë numrin e vendimeve gjyqësore për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë edhe konfiskimin e pronës së përfituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Në Raportin e Progresit theksohet se vendi ka shënuar përparim të ndjeshëm në këtë fushë, duke harmonizuar legjislacionin me Bashkimin Evropian, por është thënë se ka ngecje në zbatimin në praktikë të ligjeve.

Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare Transparency International, tha për Radion Evropa e Lirë se raportet e ardhshme të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut si vend që zhvillon negociata për anëtarësim, do të jetë më i detajuar me kërkesa të prera, sa i përket konfiskimit të pronës së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Në raportin e fundit të Komisionit Evropian shohim se apostrofohet konfiskimi i pasurive të fituar në mënyrë kriminale, me theks të veçantë kërkohet që të përforcohen masat për hetimin e rrjedhave financiare, përkatësisht Maqedonia e Veriut si shtet do të jetë e detyruar të realizojë hetime efektive financiare”, thekson Taseva.

SHIKONI EDHE: Qytetarët rendisin gjyqësorin si sektorin më të korruptuar në Maqedoninë e V.

Ndërkaq, Selmani shprehet i prerë se pavarësisht që në Maqedoni të Veriut ka gjykatës të ndershëm dhe profesionistë, por rastet korruptive, sipas tij, do të mbeten të pandëshkuara nëse nuk ka ndërhyrje të ekspertëve ndërkombëtarë në prokurori dhe gjyqësi.

“Pikërisht është korrupsioni ai që e mban peng sistemin e drejtësisë. Prandaj, unë nuk kam ndonjë shpresë se sistemi gjyqësor në një të ardhme të shpejtë do të mund të ringritet. Në këtë drejtim, mendoj se me një prokuror ndërkombëtar apo ndërhyrje ndërkombëtare në gjyqësi, siç ishte rasti në Bullgari, Rumani që luftuan krimin nga jashtë, nga njerëz të panjohur, të cilët nuk mund të kenë miqësi me strukturat udhëheqëse dhe njëherësh është shumë e vështirë të shantazhohen në një mënyrë apo tjetër. U pa qartë se pushteti dhe opozita pas kuintave u miqësuan vetëm e vetëm që të fshehin gjurmët e krimit të njëra-tjetrës, duke shpërbërë Prokurorinë Speciale, tek e cila kishim shumë shpresa”, thotë Selmani.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut, kthim pas në luftën kundër korrupsionit

Ndryshe, në Raportin e Komisionit Evropian theksohet se Maqedonia e Veriut vitin e ardhshëm do të duhet të angazhohet fuqishëm në demonstrimin e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, duke i mbështetur financiarisht organet përkatëse si dhe duke siguruar udhëzime të qarta të politikave për të gjitha institucionet shtetërore, se si të trajtohet korrupsioni.

Por, Taseva nga Transparency International thotë se efikasiteti i luftës kundër korrupsionit varet nga transparenca e institucioneve dhe përforcimi i mekanizmave kontrollues brenda institucioneve të shtetit.

“Duhet u fokusuar në përforcimin e kapaciteteve të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, që tashmë funksionon në bazë të ligjit të ri dhe sipas standardeve evropiane, megjithatë nuk ka kushte për punë për shkak të mungesës së ekipit dhe resurseve financiare. Madje kjo është apostrofuar si detyrë edhe në raportin e Komisionit Evropian”, thotë Taseva.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariqiq ka theksuar se në Raportin e Komisionit Evropian vlerësohet përparimi në reformat në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, në veçanti, sipas tij, vlerësohet harmonizimi i kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut sipas standardeve evropiane.

Megjithatë në bazë të hulumtimit të realizuar në fillim të këtij viti nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar, çdo i katërti qytetarë në Maqedoni të Veriut, është shprehur pesimist se brenda një të ardhmeje të afërt, mund të ketë ulje të nivelit të korrupsionit në vend.

Ndryshe, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i personave të shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ishte 106 në vitin 2007, ndërkaq 92 në vitin 2018.