Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian të vihet në tryezë të diskutimit mundësia e njohjes reciproke.
“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.
Këto komente presidenti Thaçi i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
“Dua të besoj se vetëm njohja reciproke me standardet e përcaktuara në kornizën e marrëveshjes eventuale që mund të arrihet mund të jetë mundësi e mirë dhe e vetmja që garanton stabilitetin në rajon, fqinjësinë e mirë mes dy vendeve tona dhe garanton të ardhmen evropiane edhe të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se për çështjen e dialogut ka diskutuar edhe ditë më parë gjatë një takimi me Lajçakun në Bruksel. Ndërsa lidhur me vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe Francë ai tha se gjatë takimeve joformale me autoritetet më të larta të SHBA-së dhe gjatë diskutimeve në Paris, ka parë një koordinim më ta lartë për çështjen e dialogut, gjë që sipas Thaçit, duhet të reflektojë edhe brenda në Kosovës që të ketë një unitet përballë dialogut me Serbinë.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak shkroi në Twitter se me presidentin Thaçi ka pasur një bisedë “jashtëzakonisht të mirë”.
“U pajtuam që dialogut i nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirës”, shkroi Lajçak.
Ndërkaq, Lajçak të martën ka takuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin.
SHIKONI EDHE: Asociacioni, shkas për presion ndaj KosovësAi nuk është deklaruar për media pas asnjë takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Gjatë të mërkurës, Lajçak pritet të takohet edhe me liderët e partive politike në Kosovë.
Në Bruksel kanë thënë se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar "zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe".
Kosova ka thënë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e këtij Asociacioni, por Serbia insiston që të bisedohet për të.
Formimi i tij është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.