Zemaj: Rritja e rasteve me COVID-19, si pasojë e mosrespektimit të masave

QKUK.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj gjatë një konference për media, ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar rritje të lehtë të rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Kjo rritje e lehtë e rasteve, tha Zemaj, bën që të veprohet urgjentisht për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

Brenda dy ditëve në Kosovë janë shënuar 159 raste me COVID-19 nga 1,330 mostra të testuara.

Ministri Zemaj shtoi se sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike dhe nga mosrespektimi i masave mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

“Mungesa e disiplinës në institucione të ndryshme dhe në komunitet, si dhe nga fluksi i ardhur i qytetarëve nga vendet me rrezik të lartë, kanë bërë që të ketë një rritje të rasteve me COVID-19. E gjithë kjo nga ne kërkon angazhim maksimal”, tha Zemaj.

Ai ka bërë të ditur se nëse nuk do të respektohen udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në ditët në vijim masat shtrënguese do të jenë të domosdoshme.

Ministri Zemaj po ashtu kërkoi që të gjitha institucionet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format e tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish “sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme krejtësisht të panevojshme si promovimet e ndryshme, tubimet publike dhe aktivitete të tjera që mund të shmangen dhe nuk janë domosdo që të mbahen me prani e grumbullim të njerëzve”.

Sipas IKSHPK-së, numri i përgjithshëm i viktimave me koronavirus ka arritur në 645.

Që prej 13 marsit e deri më 10 tetor, në Kosovë janë regjistruar 16,130 raste me koronavirus.

Prej tyre, 14,282 pacientë janë shëruar, ndërkaq raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 1,203.