Ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti pritet të tkurret për 8.8 për qind.
Kështu thuhet në raportin e publikuar të mërkurën nga Banka Botërore për ekonominë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.
“Pandemia COVID-19 ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit. Qeveria është përgjigjur shpejt duke siguruar përkrahje për firmat dhe punëtorët, megjithatë punësimi pritet të ulet ndërsa varfëria të rritet” thuhet në raport.
Më tutje thuhet se, remitencat në rritje pritet të zbusin ndikimin e tkurrjes ekonomike. Rimëkëmbja pritet të jetë më e ngadalshme sesa është parashikuar më herët, meqenëse pandemia po zgjat më shumë se që pritej, duke penguar kështu rritjen ekonomike në vitin 2021.
Ndërkohë në raportin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të publikuar më 1 tetor, thuhet se ekonomia e Kosovës pritet të tkurret rreth 5 për qind këtë vit si pasojë e pandemisë me koronavirus, mirëpo vitin e ardhshëm mund të kthehet në binarë me një rritje prej 4 për qind.
SHIKONI EDHE: BERZH: Ekonomia e Kosovës mund të rritet për 4 për qind më 2021Sipas BERZH-it arsye për këtë rënie është zvogëlimi i investimeve (9 për qind) sektori i ndërtimit (12 për qind) si dhe ndikimi i pandemisë pothuajse në çdo sektor.
Raporti thotë se vlerësimi për rritjen ekonomike mund edhe të duket më i zymtë nëse rastet me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) rriten dhe ekonomia mund të bllokohet përsëri.
Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars, IKSHPK-ja ka raportuar për 15,938 të prekur me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Prej tyre, 638 pacientë kanë vdekur.