Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se deklaratat e disa zyrtarëve serbë ndaj viktimave civile të luftës “e dëmtojnë dialogun” dhe “i minojnë përpjekjet e përbashkëta për pajtim”.
Në një postim në Twitter, Thaçi tha se deklaratat fyese të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ndaj viktimave civile të luftës, të vrara nga regjimi i Millosheviqit, “janë dëshmi se Serbia nuk i ka ndryshuar ende politikat e saj fashiste ndaj Kosovës”.
Daçiq, së voni, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar si kërcënuese për serbët që i bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët, të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë Daçiq për një televizion në Serbi.
Vulin, në anën tjetër, duke reaguar ndaj një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Shqipërisë, që Porti i Durrësit t’i takojë Kosovës, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
Vulin, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nënçmues “shiptari”, ka thënë se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Të tjera në këtë temë:
- BE kërkon nga liderët e Ballkanit “të përmbahen” nga deklaratat që dëmtojnë pajtimin
- Rama e quan "shaka" deklaratën e Vulinit për marrëveshjet Kosovë-Shqipëri
- “Shiptar”, ende pjesë e diskursit të zyrtarëve serbë