Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i uroi presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melanie, shëndet të mirë, pasi që të dy kanë dalë pozitiv në koronavirus.
"Jill (gruaja e Bidenit) dhe unë u dërgojmë dëshirat tona, presidentit Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump, për një shërim të shpejtë. Ne do të vazhdojmë të lutemi për shëndetin dhe sigurinë e presidentit dhe familjes së tij", tha Biden në një postim në rrjetin social Twitter.
Ish-nënpresidenti, Joe Biden, nuk e ka informuar akoma publikun nëse ai është testuar për koronavirus.
Presidenti Trump doli pozitiv në koronavirus më pak se një javë pas një debati të ashpër me Bidenin, i pari nga tre debatet presidenciale, që pritet të mbahen deri në zgjedhjet e nëntorit.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një orar të ri për aktivitetet e Trumpit në të cilin nuk përfshihet një udhëtim në Florida, ku ai kishte planifikuar të merrte pjesë në një tubim.
SHIKONI EDHE: Presidenti Trump infektohet me koronavirusMjeku i tij, Sean Conley, tha se presidenti dhe Zonja e Parë janë "mirë aktualisht" dhe se "ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi, brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë rimëkëmbjes së tyre".
“Pres që presidenti të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit dhe unë do t'ju mbaj të informuar për çdo zhvillim në të ardhmen," tha Conley.
Është e paqartë se çfarë simptomash kanë - nëse kanë - presidenti dhe gruaja e tij.
Disa orë më herët, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.
Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.