Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se "është e pamundur të paramendohet ndonjë përparim thelbësor në dialog (mes Kosovës dhe Serbisë) derisa të formohet Asociacioni i Komunave Serbe me të gjitha kompetencat e dakorduara".
Ai tha se formimi i Asociacionit është "një detyrim i Prishtinës".
Gjuriq akuzoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, se "po tallet me Bashkimin Evropian dhe Beogradin, duke deklaruar se tema e Asociacionit të Komunave Serbe është e mbyllur për të".
"Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është unik për faktin se njëra palë nuk ka nevojë as ta arsyetojë vetveten për moszbatimin e marrëveshjes, dhe për këtë nuk vuan nga ndonjë sanksionim nga ndërmjetësuesit në dialog", tha Gjuriq.
"Prishtinës nuk mund t'i besohet dhe provokimet e Hotit nuk duhet të qëndrojnë pa përgjigje nga Bashkimi Evropian", theksoi ai.
SHIKONI EDHE: Asociacioni, “kushtëzimi i radhës” për vazhdimin e dialogutKryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi më 24 shtator se në dialogun me Serbinë nuk do të diskutojë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sepse ajo marrëveshje është përfunduar më 2013.
Takimi në nivel të ekspertëve nga Serbia dhe Kosova, i cili ishte paraparë të mbahej më 28 shtator në Bruksel, është anuluar.
Para se të njoftonte se takimi po anulohej "për shkak të kujdesit të shtuar në lidhje me COVID-19", i dërguari i Posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi se çështja e Asociacionit nuk do të ishte në rendin e ditës, sepse “njëra palë nuk ishte ende gati për diskutim”.
SHIKONI EDHE: Komandanti i KFOR-it: Formimi i Asociacionit, çështje diskutabileÇështja e Asociacionit, aktualisht, është një pengesë në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.
Pala serbe këmbëngul që vazhdimi i dialogut në nivelin më të lartë politik varet nga gatishmëria e Prishtinës për të filluar zbatimin e marrëveshjes, ndërsa pala kosovare beson se diskutimi është i panevojshëm.
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe u arrit më 2013. Autoritetet e Kosovës ende nuk ka filluar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t'i plotësojë standardet kushtetuese.