“Kosova për pesë vjet do të kthehet në një zonë të gjallëruar me mijëra vende pune”, kjo është një nga deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, kur flet për marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vendet e reja të punës, siç thotë Hoti, do të krijohen si rezultat i projekteve të shumta që mbërthen kjo marrëveshje, e cila ka në theks ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe disa projekte në fusha të tjera.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çdo vit në tregun e punës hyjnë deri në 25 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18-vjeç e më lart. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 për qind.
SHIKONI EDHE: Papunësia, problemi më i madh pas pandemisëInvestime për të gjeneruar vende pune
Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thonë per Radion Evropa e Lire se projektet, të cilat janë në marrëveshje, duhet të konkretizohen në investime për të hapur vende të reja pune.
“Kjo paketë e një marrëveshjeje apo zotimeve të natyrës ekonomike nuk e ka ndoshta krejtësisht objektivin në politikat sociale. Qëllimi i asaj marrëveshjeje është që t’i inkurajojë palët që të tërheqin investime dhe ato investime pastaj kanë konsekuenca sociale, siç është punësimi i njerëzve dhe përmirësimi i mirëqenies sociale”, thotë Ramosaj.
Ai shton se nëse realizohen ato projekte siç janë prononcuar nga liderët politikë në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova do të mund të ulë nivelin e papunësisë.
Oda Ekonomike e Kosovës do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës për t’i zbatuar projektet e marrëveshjes si dhe do të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.
SHIKONI EDHE: Si do të financohen projektet infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Serbinë?Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendet e punës nuk krijohen me marrëveshje, por me tërheqje të investitorëve.
“Vendet e punës nuk krijohen as me një marrëveshje, as me një projekt, kjo varet edhe nga ne, aq sa ne do të kemi projekte të tërheqim investime dhe financime të qëndrueshme që pastaj të njëjtat të kthehen në vende pune”, thotë Rukiqi.
Rukiqi bën të ditur se sektorët dhe projektet me mundësi të përfitimit të financimit amerikan janë Brezovica, Rugova (Borea), Fabrika e baterive, Industria e përpunimit të ushqimit dhe projekte të tjera.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Papunësia, problem kronik i Kosovës
Papunësia vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.
Niveli i papunësisë është rritur gjatë këtij viti edhe nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Shumë të punësuar kanë humbur vendin e tyre të punës dhe bizneset po ballafaqohen më vështirësi të mëdha financiare.
Kosova nuk ka një numër të saktë të qytetarëve që kanë humbur vendin e punës gjatë kohës kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19, por sipas Odës Ekonomike të Kosovës nëse merren parasysh shifrat e tkurrjes së mundshme ekonomike, deri në 25 mijë vende pune mund të humbin si pasojë e pandemisë.
SHIKONI EDHE: E nesërmja e panjohur për bizneset e voglaMekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuara për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.
Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë në vitin 2020.
Ndryshe, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret rreth 5 për qind këtë vit si pasojë e pandemisë me koronavirus, mirëpo vitin e ardhshëm mund të kthehet në binarë me një rritje prej 4 për qind, thuhet në një raport të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Sipas BERZH-it arsye për këtë rënie është zvogëlimi i investimeve (9 për qind) sektori i ndërtimit (12 për qind), si dhe ndikimi i pandemisë pothuajse në çdo sektor.