Gati një milion gra në Mbretërinë e Bashkuar kanë humbur kontrollet në gji, për shkak të pandemisë së koronavirusit, tregon një studim i organizatës bamirëse “Breast Cancer Now”, me seli në Londër.
Programet e kontrollit të gjirit janë ndërprerë në muajin mars, pasi Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i ka përqendruar burimet në trajtimin e pandemisë.
“Breast Cancer Now” llogarit se rreth 8,600 gra që nuk kanë bërë skanime, kanë kancer të pazbuluar të gjirit.
Organizata vlerëson se 986,000 gra në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar e kanë humbur mamografinë, pasi programet e skanimit ishin në pauzë.
Ato kanë rinisur të funksionojnë, por masat e distancës sociale e kanë zvogëluar kapacitetin e tyre.
Kanceri i gjirit, i diagnostikuar në një fazë të mëvonshme, mund të jetë më i vështirë për t’u trajtuar.
Llogaritjet e organizatës “Breast Cancer Now” bazohen në numrin mesatar të grave që kontrollohen brenda një muaji dhe kohën sa ka zgjatur pauza e programeve të skanimit në çdo pjesë të Mbretërisë së Bashkuar.
Organizata bëri thirrje për një plan veprimi dhe burime të reja për të trajtuar problemin.
"Mamografia është një mjet kryesor në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, i cili është thelbësor për të ndaluar vdekjen e grave nga sëmundja”, tha shefja ekzekutive e organizatës, Delyth Morgan.
"Ne e kuptojmë që programi i skanimit të gjirit është ndaluar nga nevoja, për shkak të pandemisë globale COVID-19. Por, tani, duhet të sigurojmë që të gjitha gratë të kenë qasje në skanim, nuk mund ta përballojmë që programi të ndërpritet përsëri", tha Morgan.