Qeveria e Kosovës ndan 60 milionë euro për bizneset

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Qeveria e Kosovës ndau rreth 87 milionë euro për bizneset private, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, për qytetarët në nevojë, për disa ministri dhe të tjera.

Nga kjo vlerë, 60 milionë euro u ndanë për bizneset, të cilat do të përfitojnë varësisht nga numri i punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media në Prishtinë, të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë.

Hoti tha se mjetet e ndara janë në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike, që kap vlerën e 385 milionë eurove.

Përveç mjeteve për biznese, qeveria ndau 7.7 milionë euro për asistencë sociale, 12 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, 2.5 milionë euro për fushën e kulturës, një milion për Ministrinë e Zhvillimit Rural, një milion për Zyrën për Komunitete, një milion për Agjencinë për Barazi Gjinore dhe një milion për ndërmarrjet publike.

Qeveria e Kosovës, në muajin korrik, ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Me të synohet që, përmes politikave fiskale dhe monetare, t'iu dilet në ndihmë bizneseve, që kanë pësuar humbje si pasojë e masave të ndërmarra për frenimin e pandemisë.

Megjithatë, ky projektligj ka dështuar tri herë radhazi të votohet në Kuvendin e Kosovës.