Zyra e Prokurorit të Anti-terrorizmit në Francë tha se ka nisur hetime pasi dy persona u plagosën në një sulm me thikë, pranë ish-zyrës së revistës satirike, Charlie Hebdo, në Paris.
Kjo e fundit ka qenë skenë e një sulmi terrorist, në vitin 2015, ku kanë mbetur të vrarë 12 njerëz.
Zyra e prokurorit e përshkroi ngjarjen e së premtes si "vrasje në tentativë", që "lidhet me një iniciativë terroriste".
Kryeministri i Francës, Jean Castex, tha më herët se katër persona janë sulmuar me thikë, por zyrtarët e policisë së Parisit konfirmuan më vonë se bëhet fjalë për dy.
Castex e ndërpreu një vizitë në rrethinë të Paristit, për të ndjekur zhvillimet.
Policia tha se një i dyshuar është arrestuar pranë Sheshit Bastille.
Një burim gjyqësor i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se personi i dytë u arrestua më vonë, por ky informacion nuk u konfirmua zyrtarisht.
Motivi i sulmit është i paqartë.
Po ashtu nuk dihet nëse ai është i lidhur me revistën Charlie Hebdo, e cila e ka zhvendosur zyrën diku tjetër, pasi është sulmuar nga militantët islamikë, pesë vjet më parë.