Pse vendet e Azisë Qendrore qëndrojnë të heshtura për ujgurët e Kinës?

Qeveritë e Azisë Qendrore janë përpjekur të qëndrojnë larg fushatës së pamëshirshme të Pekinit kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera në rajonin Ksiniang në pjesën perëndimore të Kinës, i njohur zyrtarisht si Rajoni Autonom i Ujgurëve.

Por, mospërfshirja është dëshmuar si e pamundur për Kazakistanin dhe Kirgizinë dhe mbase do të vazhdojë të jetë kështu.

Rajoni, të cilin tani Kina e quan Ksiniang, dhe dy vendet tjera përtej maleve Tien-Shan të njohura si Kazakistani dhe Kirgizia, kanë lidhje tregtare dhe kulturore për shumë vite.

Nuk ka ngjarje që ndodhë në njërën anë, pa ndikuar në tjetrën.
Këtë e dëshmon fakti se menjëherë pas shuarjes së Bashkimit Sovjetik në fund të vitit 1991, pesë republikat e Azisë Qendrore u bënë vende të pavarura.

Më 29 korrik 1992, e përditshmja ruse Nezavisimaya raportoi në lidhje me një takim të partisë “Për një Ujguristan të Lirë” në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek.

SHIKONI EDHE: Ujgurët "detyrohen të punojnë" për markat e huaja

Aty u mblodhën rreth 270 delegatë, shumica nga Kirgizia, por edhe disa nga Kazakistani, Uzbekistani dhe Turqia.

Qëllimi i kësaj partie ishte të krijonte një shtet të pavarur - Ujguristan - në territorin e Provincës Ksiniang.

Delegatët u zotuan se kishin për qëllim që këtë ta bënin ekskluzivisht brenda normave të së drejtës ndërkombëtare, megjithëse nuk kishin dhënë shumë detaje se cilat mund të ishin ato “norma”.

Në atë kohë, kishin kaluar rreth gjashtë muaj që kur Kina kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me vendet e Azisë Qendrore.
Për më tepër, Bashkimi Sovjetik e kishte portretizuar Kinën si një armik për më shumë se 20 vjet dhe aziatikët qendrorë nuk i rikujtonin me shumë përzemërsi marrëdhëniet e të tyre me Kinën, para ardhjes së rusëve.

Expose: "Kampe përqendrimi" për myslimanët në Kinë

Në atë kohë, kishte rreth një çerek milion ujgurë që jetonin në Kazakistan dhe rreth 50,000 të tjerë në Kirgizi.

Partia “Për një Ujguristan të Lirë” nuk ishte organizata e vetme ujgure aktive në Kirgizi. Aktivitetin e saj e ushtronte edhe Shoqata e Ujgurëve të Kirgizisë “Ittipak”.

Në Kazakistan gjithashtu ekzistonte Shoqata e Ujgurëve si dhe grupe të tjera ujgure.

Kur shënoheshin keqtrajtime të ujgurëve në Ksiniang, këto shoqata rregullisht protestuan dhe thirrën konferenca për media në Bishkek dhe në Almati.

Frikë nga separatizmi

Në muajin korrik të vitit 1996, grupet ujgure në Kazakistan raportuan për luftime midis forcave kineze të sigurisë dhe një grupi të quajtur Fronti Revolucionar i Bashkuar i Turkestanit Lindor (URFET), një grup separatist ujgur.

Ata pretenduan se kanë vrarë rreth 450 trupa kineze dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë gjatë atyre përleshjeve.
Udhëheqësi i URFET, Yusupbek Mukhlisi, kishte jetuar në Almati, që kur kishte ikur atje në vitin 1960.

Në muajin shkurt të vitit 1997, trupat kineze hapën zjarr ndaj protestuesve ujgurë në qytetin Gulja (Yining në kinezisht) të cilët po demonstronin kundër ekzekutimit të 30 aktivistëve ujgurë që kishin kërkuar pavarësi nga Kina.

Zyrtarisht, nëntë ujgurë u vranë, por disa aktivistë thonë se numri i të vdekurve ishte më shumë se 100.
Kjo ngjarje nxiti protesta para ambasadave kineze në Bishkek dhe Almati në mars të vitit 1997.

Më 25 mars të vitit 1997, Beksultan Sarsekov, i cili atëherë ishte sekretar i Këshillit të Sigurisë së Kazakistanit, tha në një konferencë për media në Almati se "jemi të shqetësuar nga ngjarjet" dhe nga "masat e ashpra" të përdorura nga qeveria kineze kundër ujgurëve.

Por, Sarsekov gjithashtu potencoi se sipas një marrëveshjeje të nënshkruar midis Kazakistanit dhe Kinës më 1996, të dyja palët ranë dakord të mos ndihmonin lëvizjet separatiste në vendin tjetër, dhe për këtë arsye problemet në Ksiniang, sipas tij, nuk janë çështje e Kazakistanit.

SHIKONI EDHE: Autoritetet kineze po vëzhgojnë "çdo hap të ujgurëve"

Duhet rikujtuar se në atë kohë, Qeveria e Kazakistanit kishte shqetësimet e veta në lidhje me separatistët kazakë në pjesët veriore të vendit pranë kufirit rus.

Marrëveshja për të cilën foli zyrtari i Kazakistanit, ishte në të vërtetë një Traktat kufitar i nënshkruar në prill të vitit 1996 në Shangai midis Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit, Rusisë dhe Kinës. Përmes kësaj marrëveshjeje, palët zëvendësuan një traktat të mëparshëm kufitar.

Grupi e quante veten “Shangai Pesë” dhe më vonë do të transformohej në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait.
Grupet ujgure në Kazakistan dhe Kirgizi raportuan se pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje, Kina filloi një valë arrestimesh në Ksiniang.

Në bazë të traktatit, autoritetet në Kazakistan dhe Kirgizi ishin të obliguara për të mos ndihmuar separatistët ujgurë në Ksiniang. Megjithatë, ata bënë shumë pak për të ndaluar protestat ujgure kundër Kinës në vendet e tyre.

Grupet e vogla të ujgurëve vazhduan të protestojnë para ambasadës kineze në Almati, në muajin prill dhe korrik të vitit 1997.

Në nëntor të vitit 1999, dhjetëra ujgurë u mblodhën para ambasadës së Uzbekistanit në Almati, duke kërkuar që presidenti i Uzbekistanit, Islam Karimov, të diskutojë për gjendjen e vështirë të ujgurëve gjatë një vizite që kishte planifikuar ta realizonte në Kinë.

Problemi përtej kufijve

Në mënyrë të pashmangshme problemet në Ksiniang u përhapën në Kazakistan dhe Kirgizi.

Në shtator të vitit 2000, dy policë u vranë dhe katër u plagosën në një sulm në Almati.
Autoritetet vranë katër të dyshuar. Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kazakistanit, Kasym-Zhomart Toqaev, tha se ata ishin ujgurë nga Kina.

Ambasada kineze në Kazakistan shprehu mbështetjen e saj të plotë për operacionin që çoi në vrasjen e ujgurëve.
Kazakistani kishte filluar tashmë dërgimin e ujgurëve përsëri në Kinë, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Kirgizia gjithashtu u bë një faktor i konfliktit në Ksiniang. Në mars të vitit 2000, udhëheqësi i Shoqatës së Ujgurëve të Kirgizisë “Ittipak”, Nigmatulla Bazakov, u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Bishkek. Ngjarja, pasoi vrasjen e një udhëheqësi të komunitetit ujgur më 1998. Një tjetër u vra më 2001.

Në maj të vitit 2000, një anëtar i një delegacioni zyrtar nga Ksiniangu u qëllua me armë dhe dy anëtarë të tjerë të delegacionit u plagosën jashtë hotelit Dostuk në Bishkek, në të njëjtën kohë një zjarr shpërtheu në një treg të Bishkekut.Shumica e tregtarëve vinin nga Ksiniangu.

Në fund të qershorit të vitit 2002, një diplomat i vjetër kinez u qëllua për vdekje në Bishkek.

Më 27 mars 2003, u sulmua një autobus që shkonte nga Bishkeku për në Ksiniang. Brenda ishin 21 shtetas kinezë. Pasagjerët u qëlluan për vdekje dhe autobusi u dogj.

Në atë kohë, Kina kishte filluar investimet në Azinë Qendrore. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, Kina ishte aq e ngulitur financiarisht në Azinë Qendrore saqë qeveritë atje ishin bërë të varura nga Pekini për të mbajtur gjallë ekonomitë e tyre.

Problemet janë paraqitur sërish

Disa vjet më parë, kur nga Ksiniangu filluan të publikohen informacionet në lidhje me një fushatë të re kundër ujgurëve, qeveritë në Kazakistan dhe Kirgizi vendosën të mbyllnin sytë.

SHIKONI EDHE: Dokumentet zbulojnë se si Kina i trajton ujgurët myslimanë

Informacionet e para tregonin për një diskriminim ndaj ujgurëve për shkak të rrobave të tyre dhe mjekrrave. Por, më pas diskriminimi u bë gjithnjë e më i ashpër pasi informacionet flisnin për internime të detyruara në të ashtuquajturat, kampe të riedukimit, martesa me kinezët, përdhunime, tortura, sterilizime të detyrueshme dhe rivendosje të banorëve në zona të tjera të Kinës.

Kur shtypja u zgjerua duke përfshirë myslimanë të tjerë Turk, midis 1.5 milion kazakëve dhe më shumë se 200.000 kirgizëve që banojnë në Ksiniang, disa nga njerëzit në Kazakistan dhe Kirgizi filluan të pyesnin pse qeveritë e tyre nuk po e ngrisnin këtë çështje më zëshëm në takimet me zyrtarët kinezë.

Personalitete të tilla si Serikzhan Bilash, një kazak etnik me origjinë nga Ksiniangu, themeloi një grup që synonte zbulimin e keqtrajtimin e kazakëve dhe pakicave tjera në Ksiniang.
Autoritetet e Kazakistanit, i bënë presion Bilashit të mos bënte shumë zhurmë.

Ai u arrestua dhe u gjykua për nxitje të urrejtjes etnike kundër kinezëve, por arrestimi i tij ngjalli reagimin e publikut dhe ai vetëm u gjobit dhe u la i lirë pasi premtoi të përmbahej nga aktiviteti politik për shtatë vjet.

Një kamp internimi në perëndrim të rajonit Xinjiang të Kinës.

Qeveria e Kazakistanit më pas regjistroi një grup tjetër që kontrollohej nga dezertorët e grupit të Bilashit dhe mbanin një qëndrim shumë më të butë për ngjarjet në Ksiniang.

Këtë vit, kur Bilash filloi të postonte një program në YouTube, autoritetet e Kazakistanit përsëri e gjobitën atë.

Por, ka ende dhjetëra kazakë etnikë që janë arratisur nga Ksiniangu në Kazakistan dhe autoritetet i janë bindur presionit të publikut për të mos i dërguar ata përsëri në Kinë.

Më shumë se 1 milion ujgurë po përballen me trajtim të tmerrshëm në kampet në Ksiniang. Raportet për trajtimin e tyre janë mohuar nga Pekini pavarësisht dëshmive tronditëse.

Trajtim i njëjtë mbase po ndodh edhe me kazakët etnikë dhe kirgizët dhe është vetëm çështje kohe para se historitë të dëgjohen në Kazakistan dhe Kirgizi.

Qeveritë në Kazakistan dhe Kirgizi do të gjenden përballë një presioni më të madh për të marrë një qëndrim më të ashpër kundër fushatës së Kinës në Ksiniang.

Kjo e konfirmon edhe njëherë faktin se kur diçka e madhe ndodh në njërën anë të Tien-Shan, ajo ndikon edhe në anën tjetër të atyre maleve madhështore.

Përgatiti: Kestrin Kumnova