Vuçiq: Nuk jemi afër zgjidhjes politike me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i minimizoi shpresat se marrëveshjet për bashkëpunim ekonomik me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, mund të çojnë së shpejti në marrëveshje politike me Kosovën.

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të ndërmarrin hapa drejt bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë punën në projekte të përbashkëta të infrastrukturës.

Dy palët kanë nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, Vuçiq i përshkroi marrëveshjet e Uashingtonit si një hap i madh në drejtim të duhur, por tha se ka një rrugë të gjatë deri te normalizimi politik.

“Mendoj se marrëveshjet e tilla janë shumë të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe për t’i zgjidhur, njëherë e përgjithmonë, problemet tona, për të pasur të ardhme të qartë për fëmijët tanë”, tha Vuçiq.

“Nuk po them se jemi afër një zgjidhjeje politike”, shtoi ai.

Vuçiq, megjithatë, e përshkroi bashkëpunimin ekonomik si “çelës” të çdo marrëveshjeje politike në të ardhmen.

Marrëveshjet për normalizimin ekonomik janë nënshkruar nga Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dy palët nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.

Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Të martën, në Beograd qëndroi një delegacion amerikan, i udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili diskutoi për mundësinë e financimit të projekteve.

I njëjti delegacion e vizitoi Kosovën të hënën.