Delegacioni i Qeverisë amerikane, i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në Shtetet e Bashkuara (DFC), Adam Boehler, do të zhvillojë të martën një vizitë në Beograd, për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiq.
Delegacioni amerikan, i cili të hënën ka vizituar edhe zyrtarët e Kosovës në Prishtinë, përfshin edhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës.
Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell do të takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, për të nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik.
Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nëshkruar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme", ka thënë Boehler në Prishtinë.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka konfirmuar se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.
Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Trump.
Dy palët, megjithatë, nuk i kanë hedhur nënshkrimet në dokumentin e njëjtë, por secila veç e veç i ka nënshkruar zotimet e saj.
Trump, në anën tjetër, ka nënshkruar një letër, përmes së cilës i ka përgëzuar palët për guxim drejt normalizimit të marrëdhënieve.