Masë paraburgimi ndaj 30 personave të ndaluar në Karaçevë

Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka njoftuar të shtunën se ndaj tridhjetë personave të dyshuar, të cilët janë ndaluar gjatë aksionit të realizuar në fshatin Karaçevë, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh.

Të premten rreth mesnatës, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit dhe Inspektoratin Policor, ka arrestuar 35 persona, në mesin e tyre 12 zyrtarë policorë, të përfshirë në aktivitete kriminale, si dhe ka sekuestruar aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale.

Në këtë aksion, u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Ky aksion u realizua pas një viti hetimesh, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Gjilanit.

Në mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit, kishte ardhur, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, ishin vrarë dy persona.

Edhe pas vendimit të qeverisë në atë kohë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.