Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.
Përmes një komunikate për media, Thaçi thotë se “kjo është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit”.
Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Në to pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.
Por, presidenti Thaçi thotë se diskutimi për Asociacionin, nesër në Bruksel, është "fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës". Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.
“Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë”, thuhet në komunikatë.
Presidenti kërkon nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë, siç thotë, këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, përmes një rezolute, “me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.
SHIKONI EDHE: Kosova kushtëzon Serbinë për Asociacionin: Zbatimi, pas njohjes reciprokeKryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën, se në Kosovë "nuk do të ketë asnjëherë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive".
"Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur me herët për Asociacionin", tha Hoti gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
SHIKONI EDHE: Dialogu në Bruksel, me “diskrecion” apo me mungesë transparence?Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.
Më këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur si dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Temat që ata përcaktojnë diskutohen më tej nga ekipet e ekspertëve të të dyja vendeve.
Thaçi ka mbetur jashtë procesit të dialogut, të cilin e ka udhëhequr për vite të tëra, pasi në muajin qershor u njoftua se ai kishte aktakuzë para Dhomave të Specializuara në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi i gjyqtarit për të konfirmuar ose refuzuar aktakuzën aktualisht është në pritje.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.