OBSH-ja regjistron rekord të rasteve të reja me koronavirus brenda një dite

Ilustrim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja me koronavirus, meqë në gjithë botën janë regjistruar 307,930 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Kjo i bie se në 24 orët e fundit OBSH-ja ka regjistruar rreth 1,000 raste më shumë sesa një javë më parë.

Kjo Organizatë ka thënë më 14 shtator se përgjatë një dite janë regjistruar edhe 5,500 vdekje, duke e çuar totalin e viktimave në 917,417.

Rritja më e madhe e infektimeve është raportuar në Indi, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.

Në gjithë globin deri më tani janë regjistruar 28.6 milionë raste me koronavirus, shumica e të cilave në kontinentin amerikan.

Megjithatë edhe shtetet evropiane janë duke u përballur me rritje të numrit të të infektuarve në baza ditore.

Autoritetet kanë rikthyer masat e izolimit në rajonet më të prekura, derisa janë rritur thirrjet për vendosjen e maskave dhe respektimin e distancimit fizik.

Në Izrael, ku është raportuar për shpërthim të ri të koronavirusit, qeveria ka marrë vendim për izolim kombëtar për tri javë.