Hapen kopshtet në Maqedoninë e Veriut, shkollat në tetor

Ilustrim.

Kopshtet e Maqedonisë së Veriut kanë hapur dyert të mërkurën për fëmijë, pas gjashtë muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka njoftuar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

“Të gjithë personat që janë pjesë e procesit për kujdesin e fëmijëve, në momentin që do të kenë dyshimin më të vogël për simptoma, të cilat mund të hedhin dyshime infektimi nga koronavirusi duhet menjëherë të reagojnë dhe të veprojnë në përputhje me protokollet, mbylljen e hapësirave dhe trajtimin e personave të rrezikuar”, ka deklaruar ministrja, Jagoda Shahpaska.

Për punën e këtyre institucioneve të kujdesit janë miratuar protokolle të rrepta për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Në çdo klasë nuk do të ketë më shumë se 15 fëmijë të moshës prej 2 deri 6 vjeç dhe jo më shumë se gjashtë fëmijë të moshës prej 9 muaj deri në 2 vjeç.

Punonjësit janë të detyruar të punojnë me maska dhe secilit fëmijë duhet t’i matin temperaturën e trupit para se t'i pranojnë nëpër kopshte. Hapësirat duhet të dezinfektohen çdo dy orë ndërsa institucioni duhet të organizojë punën për të shmangur kontaktet midis fëmijëve nga grupe të ndryshme.

Sipas Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në kopshte janë paraparë të pranohen rreth 19 mijë fëmijë, por deri më tani në këto institucione janë pranuar rreth 14 mijë. Para mbylljes, në kopshtet e Maqedonisë së Veriut ofrohej përkujdesje për rreth 50 mijë fëmijë. Kopshtet sikur edhe shkollat u mbyllën më 10 mars.

Më 1 tetor është paraparë hapjen e shkollave, por vetëm nga klasa e parë deri në të tretën ndërsa klasat tjera të arsimit fillor dhe të mesëm mësimin do të zhvillojnë online.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë se mësimi me prani fizike mund të lejohet vetëm në ato klasa ku ka më pak se 20 nxënës.

Unioni i shkollave të mesme ka protestuar para institucioneve duke kërkuar kthimin e nxënësve në shkolla, në të kundërtën ka paralajmëruar bojkotin e mësimit online.