Adam Boehler, udhëheqës i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar ka thënë se më 22 shtator të këtij viti do të dërgojë në Beograd një delegacion të nivelit të lartë për të hapur zyrën e këtij trupi atje.
Ai ka thënë se ka marrë këtë vendim pas marrëveshjes së arritur më 4 shtator në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Boehler ka thënë se menjëherë do të fillojë puna për projektet kyçe të normalizimit ekonomik.
Në mesin e pikave të marrëveshjes është arritur pajtueshmëri që Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:
-Autostradën e paqes
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare
-Lidhjen hekurdhore Nish-Prishtinë
-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-Projekte shtesë dypalëshe
-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
SHIKONI EDHE: Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.
Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
SHIKONI EDHE: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë - nga linja ajrore deri te njohja nga Izraeli
Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.