Partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut, janë kundër propozimit të kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, që për shkak të pandemisë, seancat e Kuvendit të mbahen online.
“Të gjithë së bashku duhet të gjejmë zgjidhje në bazë të Rregullores që Kuvendi të punojë në distancë”, kishte deklaruar kryeparlamentari Xhaferi në një takim me diplomatë perëndimorë, ndërsa idenë e tij e kanë mbështetur partitë e shumicës parlamentare.
"Një person i sëmurë, pavarësisht nëse është deputet apo punonjës i shërbimeve parlamentare, mund t’i izolojë të gjithë deputetët apo të bllokojë punën e Kuvendit. Për ne, si deputetë, puna online jo vetëm që është pranueshme, por edhe e domosdoshme", kanë bërë të ditur nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Sa stabile do të jetë qeveria e re?Megjithatë, opozita konsideron se shumica parlamentare nuk guxon që punën e Kuvendit ta shndërrojë, siç thonë, në zyrë online noterie apo të miratojë ligje sipas dëshirës së pushtetit.
“Nuk duhet të lejohet që shtëpia e demokracisë të shndërrohet në noteri online ku kryetari i Kuvendit, i cili në këtë rast do të ishte noteri kryesor, përmes kompjuterit të tij të konstatojë se kush mungon e kush jo dhe më pas të botohen apo shpallen ligjet sipas dëshirës së pushtetit”, ka deklaruar deputeti i MVRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
Opozita maqedonase konsideron se qëllimi i partive në pushtet që puna e Kuvendit të zhvillohet online është që të mos e ketë problemin me mungesën e kuorumit.
SHIKONI EDHE: Qeveria ul numrin e ministrive, Kuvendi rrit numrin e nënkryetarëveQëndrim të ngjashëm ka edhe opozita shqiptare. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se mbajta e seancave online do t’ia humbte kuptimin debatit parlamentar.
“Është e papranueshme ideja që seancat e Kuvendit të mbahen online. Mendojmë se është një tendencë për ta heshtur opozitën, respektivisht që zëri i opozitës të mos arrijë deri te qytetari. Kjo bie në kundërshtim me shumë ngjarje tjera në shtet, p.sh. shkollat nisin me punë, restorantet punojnë sikur edhe shumë sektorë të tjerë, ndërsa në anën tjetër tentohet që të ndalohet zëri i deputetëve. Mendoj që kjo ka të bëjë edhe me jostabilitetin e shumicës, respektivisht me numrat të cilët i ka shumica parlamentare”, thotë Elmi Aziri nga koalicioni opozitar shqiptar.
Ai thekson se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do t’i përdorin të gjithë mekanizmat, për të penguar një synim të tillë të partive në pushtet.
Ish-kryetari i Kuvendit, Tito Petkovski, thotë se s’ka dyshim se debatin brenda Kuvendit nuk mund ta zëvendësojë asnjë formë tjetër e organizimit të seancave, por në situatën e krijuar nuk duhet të përjashtohet një mundësi e tillë, ashtu siç ndodh edhe në shumë shtete tjera.
“Sigurisht se një punë e këtillë nuk do të ishte funksionale, sikur që zhvillohet debati brenda Kuvendit. Deputetët duhet të përballen dhe një mundësi të tillë e ofron vetëm Kuvendi, si arenë e paraqitjes së argumenteve apo pikëpamjeve të tyre për çështje të caktuara. Debati online nuk mund të jetë kreativ, por në kushtet në të cilat gjendemi, ndoshta mund të jetë i dobishëm".
SHIKONI EDHE: Maqedonia e V.: Jo të gjitha shkollat hapin dyert për nxënës më 1 tetor"Ashtu siç mendojmë për shëndetin e fëmijëve tanë, të cilëve po tentojmë t’u sigurojnë mësim online, ashtu duhet të mendojmë edhe për shëndetin e deputetëve. Ndoshta do të kemi probleme me kulturën demokratike, me përdorimin e pajisjeve, por mes dy këqijave mund të zgjedhim atë me më pak probleme, pasi institucionet duhet të funksionojnë. Në fakt, edhe shumë vende tjera funksionojnë në këtë mënyrë”, vlerëson Petkovski.
Për zhvillimin online të seancave të Kuvendit duhet të ndryshohet rregullorja e punës, për të cilën duhet të deklarohen dy e treta e deputetëve apo 80 prej tyre. Shumica aktualisht ka 62 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.